Është arrestuar autori i vrasjes me thikë të një 28-vjeçari mbrëmjen e së premtes në qytetin e Elbasanit dhe plagosjes së vëllait të tij. Personi i arrestuar është Ardit Hida 24 vjeç.
Viktima është Florenc Kovaçi ndërsa i plagosur është dërguar në spital në gjendje të rëndë vëllai i tij Mikele Kovaçi, 19 vjeç.
Vëllezërit janë përleshur me një grup tjetër deri në përdorimin e armëve të ftohta.
Shkak për përplasjen thuhet se është bërë një vajzë.
“Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë të Komisariatit të Policisë Elbasan dhe ato të DVP, veprimeve të shpejta hetimore e profesionale, krehjes së zonës dhe kontrolleve të shumta, u bë e mundur kapja e autorit të dyshuar të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e sotme në Elbasan. Shërbimet e Policisë kapën dhe shoqëruan në Polici për veprime të mëtejshme shtetasin Ardit Hida 24 vjeç, i cili u kap në lagjen “Brigada e 17 Sulmuese”.
Gjithashtu u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i thikës me të cilën ky shtetas plagosi dy vëllezërit, ku si pasojë e plagëve të marra njëri prej vëllezërve shtetasi F.K., rreth 28 vjeç, banues në Elbasan ka ndërruar jetë ndërsa vëllai tjetër shtetasi M.K.,19 vjeç, ndodhet në spital për ndihmë mjeksore. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje”, tha policia në një njoftim për mediat.