Me protesta të vazhdueshme nga opozita dhe me duartrokitje nga kolegët e saj socialistë, është ndjekur fjalimi i Olta Xhaçkës në seancën e sotme plenare.
Teksa theksoi se për çështjen e mandatit të saj është shprehur tashmë Gjykata Kushtetuese, ish-ministrja akuzoi deputetët e opozitës se e kanë “bërë mish për top” për interesat e tyre.
“Është drejtësia që duhet të flasë dhe unë do t’i drejtohem për të nxjerrë deri në fund se cila palë ka të drejtë. Nuk e kam ushtruar influencën time për ato që janë bërë fakte të kryera si përfitime. Sot për t’i vënë kapakun, diskutohen këtu nga leckat e topit të opozitës sikur të votohet për të më mbajtur nëpër këmbë, apo për të më lëshuar nga këmba. Por, këtu s’ka çfarë të votohet, sepse çështjen time e ka gjykuar Gjykata Kushtuese e ka vendosur, duke e pushuar”, tha Xhaçka.
“Emri im është dribluar si top lecke…. Nuk mund të hesht sot për fajësinë që më është dhënë nga gjykata e shkallës zero. Askush nuk do të gjejë as edhe një fjalë time kundër organeve të drejtësisë…”
“Sot duhet të votohet për shkallën e sovranitetit të parlamentit. Gjithsesi, meqë tek ky absurditet i kthyer në një debat, u arrit për shkak të akuzave të ngritura ndaj meje, meqë vendimi i sotëm lidhet sërish me mandatin tim, edhe pse Gjykata Kushtetuese e ka thënë fjalën e saj, unë do të hesht për votimin”, tha Xhaçka.
Xhaçka theksoi se bashkëshortit të saj nuk i është dhënë asnjë status ekskluziv, por vetëm ligjor. Sipas saj, bëhet fjalë për një “investim 100 për qind privat me dokumentacion transparent”, në jug të vendit dhe se ajo dhe familja e saj nuk kanë përfituar asnjë lehtësim procedurial apo ndonjë qindarkë nga fonde publike.
“Unë dhe familja ime s’kemi përfituar asnjë qindarkë nga pasuritë shtetërore”, tha Xhaçka. “Kjo është e vërteta”, u shpreh ajo.
Kujtojmë se Kuvendi do të vendosë sot mbi çështjen e mandatit të deputetes socialiste, nëse do dërgohet apo jo për verifikim në Gjykatën Kushtetuese.
Anëtarët e shumicës parlamentare në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, vlerësuan më herët gjatë ditës që çështja t’i kalonte seancës plenare.
Ndërkohë opozita në raportin e saj kërkon që çështja t’i kalojë gjykatës dhe të shpallet papajtueshmëria e mandatit të deputetit të Olta Xhaçkës.