Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga zhdukja e 4-vjeçarit Klodian Ashini, në zonën e Shkozës në kryeqytet, ende nuk ka asnjë gjurmë të tij.
Për herë të fundit i mituri është parë tek banesat sociale në zonën e Shkozës, i veshur me një bluzë të kuqe dhe pantallona të zeza.
Pak momente pasi kanë konstatuar mungesën e djalit, familjarët janë vënë në alarm për të kërkuar 4-vjeçarin, por pa një rezultat konkret.
Ata deklarojnë se fëmija ka qenë duke luajtur tek sheshi i banesave sociale, së bashku me një bashkëmoshatar tjetër.
“Rreth orës 5:30 del plaka ime dhe kërkon djalin. Kërko dhe nuk ka. Ka hipur te shkallët sipër dhe ka dalë te rruga.”
Gjyshi i 4-vjeçarit shprehet për Ora News se prej 24 orësh nuk kanë marrë asnjë informacion për vendndodhjen e tij, ndërsa për herë të fundit komshinjtë e kishin parë tek rruga kryesore.
“Nuk kemi lënë vend pa kërkuar, nga ana e Lanës, nga pusetat dhe asgjë.”
Nga ana tjetër efektivët e komisariatit nr.1 kanë nisur hetimet për gjetjen e 4-vjeçarit të mitur.
Duke qenë se kanë kaluar 24 orë nga zhdukja e fëmijës, blutë kanë shpërndarë foton e tij në gjithë pikat kufitare, në rast se djali është rrëmbyer me qëllim trafikimin.
Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë së disa bizneseve në zonën përreth banesave sociale, të cilat po analizohen për të zbuluar lëvizjet e fundit para momentit të zhdukjes së 4-vjeçarit.
Burime nga policia bëjnë me dije se po hetohet ndonjë konflikt i mundshëm i familjarëve, si shkak për zhdukjen e djalit 4-vjeçar.