Politika Energjia elektrike, Berisha: Në Portin e Vlorës po sillen impiante nga Bangladeshi

Energjia elektrike, Berisha: Në Portin e Vlorës po sillen impiante nga Bangladeshi

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha denoncon se në Portin e Vlorës po sillen dy impiante nga Bangladeshi për prodhimin e energjisë elektrike.

Në një bashkëbisedim me gazetarët nga selia blu, Berisha tha se kostoja për impiantet që do të vendosen në Portin e Vlorës është 760 milionë Euro.

Ndër të tjera, sipas Berishës, impiantet për prodhimin e energjisë që do të vendosën në Vlorë do të shkaktojnë edhe ndotja të ajrit në qytet për shkak të karburantit me të cilin punojnë.

DEKLARATA E KRYETARIT TË PD SALI BERISHA:

“Dua të sjell në vëmendje e publikut një zhvillim anti-ekonomik mjaft të rëndë, një shpërdorim të tmerrshëm që po ndodh në fushën e energjisë.

Anija që po sjell impiantet nga Bangladeshi për prodhimin e energjisë, në portin e Vlorës, ka hyrë në kanalin e Suezit. 760 milionë Euro është e llogaritur nga specialistët më të mirë, kostoja për 2 vite që do të punojnë këto impiante, përfshirë këtu qiranë dhe naftën që shpenzojnë.

Kostoja ditore e tyre është kjo; Për prodhimin e 1 megavati, këto impiante harxhojnë 220 litra naftë. Impiantet prodhojnë 110 megavat në 24 orë. Nëse e shumëzojmë me 220 litra, ata shpenzojnë 580800 litra naftë në ditë. 580800 litra naftë, nëse i shumëzojmë jo me 2300 sa është sot dhe më shumë, por vetëm me 1900 lekë, impiantet harxhojnë në ditë 949672 Euro. Por kjo është vetëm nafta.

Prodhimi ditor i energjisë është 2640 megavat. Përveç kostos së naftës, qiraja ditore është 91.117 Euro. Në total, është 1.490.799 Euro. Në rast se llogarisni çmimin e megavatit, këto 1.490.799 Euro shpenzohen për prodhimin e 2640 megavat, prodhimi ditor. Do të thotë se 1 megavat kushton 398 Euro, pra rreth 400 euro. Kostoja për dy vite qira, pra për 730 ditë del mbi 761 milionë Euro.

Edi Rama po bën zbrazjen e rrufeshme të Kaskadës së Drinit. Çdo ditë kaskada ulet me 50 centimetra çdo ditë. Kaskada sot është 274 metër, në një kohë kur me rregulloren ajo më datën 1 Shtator nuk mund të jetë kurrë nën 284 metër, ndalohet me ligj. Edi Rama për të justifikuar këtë krim të shëmtuar për t’u thënë shqiptarëve se s’ka energji në bursë dhe të instalojë këto impiante.

Janë 2 impiante që kanë funksionuar për 20 vite me radhë në qytetin Kulna të Bangladeshit. Nga viti 2018 deri sot kanë qenë pa funksion. Këto nuk janë termocentrale, këto janë gjeneratorë gjigand që funksionojnë me naftë D2, naftë të rëndë që ka në përbërjen e vetë 50 miligram për litër squfur. E ndaluar për t’u përdorur. Me këtë toksicitet ai do krijojë një ndotje në Vlorë sikur të shtohen 100 mijë makinë në Vlorë. Kjo është një çmenduri. Eksperti më konfirmon se ato harxhojnë 600 ton naftë të rëndë D2 në ditë, e cila është e barabartë sikur 100 mijë makina në Vlorë të shpenzojnë nga 6 litra secili dhe të bëjnë nga 100 km rrugë në Vlorë. A mund të rrihet në Vlorë me këtë situatë. Korrupsioni të verbon në çdo gjë.

Edi Rama ka mashtruar qytetarët kur në Opinionin e Tv Klan se këto punojnë me gaz, këto nuk punojnë me gaz, këto janë gjeneratorë që punojnë vetëm me D2 tmerrësisht të pasur në squfur. Imagjinoni ju 100 mijë makina me karburant me squfur. E dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë mega aferë të tmerrshme të qeverisë. Për të justifikuar këtë vendim në mënyrë më të pacipë Edi Rama ka deklaruar me dhjetra herë se do mbarojë energjia, s’do kemi energji. Si do mbarojë energjia? Energjia mbaron kur t’i verbon sytë vjedhja dhe korrupsioni. Energjisë mund t’i rritet çmimi, por jo mbaron. Ai këtë përrallë ja u tregon shqiptarëve për të mbuluar vjedhjet e tij. U bëj thirrje qytetarëve të Vlorës të organizohen sepse Vlora nuk mund të bëhet pellgu i squfurit dhe lëndëve toksike.

A e dini ju që me 700 milionë Euro mund të ishin ndërtuar minimumi 3 HEC-a të tjera si i Vlorës. Dhe HEC-et ndërtohen shpejt dhe janë të leverdishëm. HEC-i është investim që rikthen investimin brenda 7 viteve. Po ky një HEC që kishim e la 9 vite dhe nuk mori një tub nga Semani ta çonte tek HEC-i i Vlorës por e futën në një proces me një çmim më të shtrenjtë se çka kushtuar ndërtimi i tij”.