Opinione Engjëll Agaçi në Prokurori

Engjëll Agaçi në Prokurori

Nga Lutfi Dervishi

Prokurori: Mirë se erdhe zoti Agaçi! Është kënaqësi e madhe që gjetët kohën për të ardhur tek ne dhe ndihemi me fat që po e mbyllim këtë javë me vizitën tuaj kaq të rëndësishme.

Agaçi: Kam ardhur për punë, nuk është vizitë qejfi.

Prokurori: E kuptoj shef Agaçi, por gjithsesi ndihemi të nderuar.

Agaçi: Paskeni shumë llafe ju prokurorët…

Prokurori: Ndjesë shef!

Agaçi: Le të nisim nga pyetjet…

Prokurori: Si urdhëron shef…

Agaçi: Ku jeni me hetimin e incineratorëve?

Prokurori: Siç e dini kjo është një çështje komplekse…

Agaçi: E di që është komplekse, andaj e sollëm këtu që t’i jepni drejtim. Pse kaq shumë vonesa për një çështje që është krejt e qartë? Emergjenca mjedisore përshpejtoi gjithçka, mjedisi sot është i pastër. E shikoni çfarë ndodh? Është njëlloj si të akuzohet Zelenski se pse nuk ndoqi procedurat në Parlament kur e sulmoi Rusia.

Prokurori: Ne nuk është se i mendojmë gjërat kaq thellë dhe për të qenë të sinqertë deri në fund, shikimi ynë është i kufizuar. Kemi lëvizur edhe ne por jo me shpejtësinë e duhur. Sikundër edhe e dini, ne zotin Bllako nuk e kemi më këtu…

Agaçi: Gjithsesi dikush do të përgjigjet për kohën që ka ndenjtur këtu.

Prokurori: Nuk e quajmë veten të pagabueshëm…

Agaçi: Kur do t’i mbyllni hetimet? Një investigim u bë në komisionin hetimor parlamentar. Pyetjet atje ishin shumë profesionale, por përgjigjet mbetën gjeniale.

Prokurori: Jemi mahnitur me përgjigjet, ato po studiojmë.

Agaçi: Po t’i kishit studiuar siç duhet, kjo çështje duhet të ishte mbyllur. Ju lutem ma shpjegoni, çfarë problemi ka? Aspekti ligjor është i kopsitur dhe interesi publik ka dominuar nga minuta e parë dhe deri në minutën që po flasim bashkarisht. Pra, zero shkelje, zero dëm, zero fajtorë.  Besoj se edhe ju keni mbërritur në këtë përfundim, apo jo? Tri zero i mbani mend?

Prokurori: Nuk jemi kaq të qartë sa ju, por patjetër në këtë përfundim kemi arritur, pra… zero çështje.

Agaçi: Bravo! U bënë katër zero. Një ish ministër e keni bërë për spital, një ish deputet desh i latë fëmijët rrugëve, drejtësia e re për të cilën po lodhemi edhe sot e kësaj dite duhet të ketë parasysh mbi të gjitha interesin publik.

Prokurori: Po, po, atë e kemi! Interesi publik është bible jonë…

Agaçi: Çfarë keni menduar t’i thoni gazetarëve që po presin për lajmin?

Prokurori: Të jem i sinqertë thamë të konsultoheshim bashkë. Ata që vijnë këtu si rregull thonë: Pyesni prokurorët, por në rastin tuaj jeni ju që na pyesni ne dhe për këtë ndjehemi të nderuar.

Agaçi: Tani katër zero dolën këtu. Mendoni edhe për një të pestë dhe komunikoni vetë me median.