Agjencia Europiane e Hapësirës, ESA, ka shprehur mahnitje me interesimin e jashtëzakonshëm për të punuar në eksplorimin e hapësirës me këtë institucion. Para disa javësh agjencia reklamoi një fushatë të re rekrutimesh me synimin për të tërhequr një larmi më të madhe kandidatësh për astronautë. Numri rekord i aplikantëve, thonë drejtuesit e institucionit, tregon entuziazmin për hapësirën mes europianëve.
Misteret e hapësirës janë një enigmë tërheqëse për shumë njerëz dhe kur Agjencia Europiane e Hapësirës, ESA, reklamoi se po kërkon kandidatë të rinj për astronautë, 22,000 europianë aplikuan.
“Reagimi im i parë ishte me habi. Ndoshta po shohim një prirje historike me kaq shumë aplikime për një numë kaq të vogël vendesh pune. Kjo tregon se sa e fortë është konkurrenca. U uroj fat aplikantëve, procesi është i gjatë për disa nga punët më interesante që ekzistojnë,” thotë drejtori i Agjencisë Evropiane të Hapësirës Josef Aschbacher.
Kandidatët do t’i nënshtrohen një procesi rigoroz kontrolli e analize për një vit dhe në fund të vitit 2022 do të njoftohen të përzgjedhurit. Konkurrenca është shumë e fortë: vetëm 4-6 kandidatë do të zgjidhen dhe një grup prej 20 kandidatësh të tjerë do të jenë në listën rezervë.
Afro 24% e aplikantëve ishin gra, gjë që përfaqëson rritje të konsiderueshme nga 15% gjatë rekrutimeve në 2008.
“Disa prej kolegëve tanë po dalin në pension. Po ashtu për periudhën 2020-2030 po hapet një numër i konsiderueshëm vendesh pune. Kemi marrë shumë aplikime dhe jemi jashtëzakonisht të kënaqur që kemi kaq shumë kandidatë. E them pa asnjë dyshim, na mrekulloi një interesim kaq i madh,” thotë shefja e Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) për punësimet e reja.
Agjencia Europiane e Hapësirës synon të zgjerojë dhe të intensifikojë projektet e saj. Këta kandidatë, thotë drejtori i agjencisë, mund të kenë shansin të bëjnë kontribute unike që e çojnë përpara eksplorimin e hapësirës.
“Shpresoj që kandidatët e zgjedhur do të kenë shansin të bëjnë realitet vizionin për të krijuar një stacion hapësinor si dhe për të realizuar një zbritje në Hënë dhe në destinacione të tjera. Në të ardhmen më të largët shpresoj që do të synojmë një udhëtim në Mars. Astronautët që zgjedhim mund të luajnë një rol të rëndësishëm në realizimin e këtyre ambicieve,” thotë drejtori i ESA-s.
ESA nënshkroi ditët e fundit një marrëveshje me Bashkimin Europian për të rritur fondet në mbështetje të eksplorimit të hapësirës. Në kuadër të marrëveshjes, BE do të investojë 9 miliardë euro deri në vitin 2027 në projekte të Agjencisë Europiane të Hapësirës që ndihmojnë rritjen ekonomike, dixhitalizimin dhe mbrojtjen e mjedisit.