Aktualitet Epidemiologët: Pse rritja e rasteve nuk është shqetësuese

Epidemiologët: Pse rritja e rasteve nuk është shqetësuese

Shifra rekord prej 34 personash të prekur nga Covid-19 në Shqipëri, për epidemiologun Dritan Ulqinaku nuk është tregues i peshës së lartë të përhapjes së virusit në vendin tonë.

Në një intervistë për televizionin Klan, ai ka sqaruar se numri i të infektuarve është i rastësishëm dhe nuk tregon tendencë për shtimin e rasteve në të ardhmen.

“Nuk po kthehemi në pikën zero, edhe pse është numri më i lartë prej fillimit të epidemisë. Është numër i rastësishëm dhe nuk ndikon në peshën që ka përhapja e virusit në vendin tonë”.

Epidemiologu e sheh si pozitiv faktin që kryeqyteti nuk ka patur asnjë rast të ri, me përjashtim të personave të infektuar në një institucion të vuajtjes së dënimeve, por klasifikimin e Tiranës në zonën e gjelbër të lëvizjeve e sheh të rrezikshëm.

“Tirana është sfida më e madhe në epidemiologji sa i takon menaxhimit të rasteve. Zonat e tjera kanë numër të ulët banorësh, Tirana në gjurmimin epidemiologjik, është i rast i vështirë, por shifrat aktuale janë premtuese”.

Shpërthimi i epidemisë në Krujë për të, ka ardhur si pasojë e moszbatimit të distancimit social dhe dezinfektimit.

“Distancimi social dhe dezinfektimi i ambienteve bën që virusi të përhapet me shpejtësi. Nuk ka ndryshim të sjelljes së virusit, por të individëve ndaj tij. Shpresojmë që vatrat të mos jenë kritike si në qendrat e pleqve etj”.

Dritan Ulqinaku tha se deri më sot nuk ka asnjë burim zyrtar që të ketë konfirmuar se ka shpresa që mesi i muajit të Maj të mos shënojë më raste të reja e si rrjedhojë të nisë liberalizimi i lëvizjeve në vend.