Kulturë “Epoka që krijon qenie amorfe”/ Mbi romanin “Në Tiranë bie shi” të...

“Epoka që krijon qenie amorfe”/ Mbi romanin “Në Tiranë bie shi” të Kliton Nesturit

Nga Zyrafete Shala

Romani “Në Tiranë bie shi”, i botuar ditë më parë nga shtëpia botuese “OMSCA-1”, është vepra e nëntë me radhë në krijimtarinë e Kliton Nesturit, i dëshmuar tanimë në letrat shqipe si poet, prozator, publicist dhe dramaturg. Duke qenë nga brezi i shkrimtarëve që në hapat e parë të ndërtimit të identitetit të tyre krijues, u përballën me shembjen e një epoke sfilitëse dhe fillimin e një tjetre përplot stuhi, Kliton Nesturi me kohë përvetësoi shkathtësinë e vrojtimit të thellë të dukurive, situatave e problemeve shoqërore të kohës. Krahas prirjes së tillë, që e njohim nga veprat e mëparshme, në këtë roman autori spikat edhe me mjeshtërinë për të depërtuar nëpër labirintet e errëta të shoqërisë shqiptare, aty ku shpeshherë janë tulatur forcat shkatërruese, në pritje të një periudhe të përshtatshme për të shpërthyer.

Romani “Në Tiranë bie shi” trajtohen realitetin aktual shqiptar me tërë absurditetin e tij, krizën morale të shoqërisë, përpjekjet e individit për të mbrojtur dinjitetin, si dhe vështirësitë e ruajtjes së vlerave humane në një shoqëri kaotike. Rrëfimi, në vetën e parë, rrjedh natyrshëm në një linjë fabulare që herë-herë ndërpritet nga episodet retrospektive, të cilat i përplotësojnë informacionet rreth personazheve, dhe nga digresionet, që e pasurojnë më tej temën e trajtuar.  Ndërthurja e elementeve të tilla kompozicionale  dhe funksionalizimi i tyre brenda tërësisë e shton dinamikën e rrëfimit, krahas paraqitjes së botës së brendshme të kryepresonazhit, dilemave, pandehmave dhe filozofisë jetësore të tij. Në këtë mënyrë, krijohet një ekuilibër mes kompozicionit dhe konfliktit, i cili gjithnjë paraqitet nga perspektiva e protagonistit, dhe ashtu i thjeshtë e pa dramacitet, jep mundësinë e shpalosjes së karaktereve të ndryshme njerëzore që ndërveprojnë mes tyre. Në përgjithësi, ky ndërveprim përshkohet nga një tendosje emocionale e fuqishme, intensiteti i së cilës ndryshon varësisht nga situatat e krijuara.

Edhe pse në qendër të konfliktit shfaqet dinamika e ngjarjeve brenda një kompanie bankare, që në të vërtetë është dinamika e tërë sistemit shtetëror në miniaturë, autori gjen mjete që tablonë e realitetit ta jep në përmasa më të gjera. Ai ngërthen fate, përvoja e përjetime të shumta që rezultojnë nga të jetuarit në një shoqëri kaotike, ku çdo gjë ka vlerë më të madhe se jeta e njeriut. E të jetuarit në një shoqëri të tillë, ku liria e veprimit bëhet peng i hipokritëve dhe mediokërve, doemos sjell ndjeshmërinë e poshtërimit dhe të qenit skllav në një botë moderne, në një botë ku heronjtë vdesin më shpejt se sa fama e tyre që përmblidhet në pak rreshta letër. Nga shoqëria e stërngarkuar me probleme, objektivi i shkrimtarit fokusohet më tej te familja, si qelizë e shoqërisë, që vuan qoftë nga bartja e frustrimeve nga mjedisi i jashtëm, apo nga mangësitë në ndërtimin e marrëdhënieve ndërpersonale.

Personazhi kryesor i romanit, është një intelektual që në pamundësi për të ndryshuar realitetin, tërë potencialin e vet duhet ta orientojë në mbrojtjen e integritetit, parimeve dhe vlerave të veta personale. Jo rastësisht, autori nuk i vë emër kryepersonazhit, sepse ai është vetëm njëri nga shumë intelektualët shqiptarë të kohës sonë, të cilëve, deshën apo jo, u duhet të jenë dëshmitarë të devijimeve dhe keqpërdorimeve që bëhen në emër të pushtetit. Për këtë gjendje është i vetëdijshëm edhe vet personazhi, që në një rast shprehet: “Unë jam një i panjohur në mesin e turmës miliardëshe të ‘heronjve të heshtur’, një njeri i paemër prej atyre që nuk kanë rastin kurrë të lënë gjurmë në historinë e njerëzimit, por që u mjafton të jetojnë jetën pa i vënë emrin e askujt tjetër”.

Çështjet me të cilat preokupohen personazhet, në dukje janë të zakonshme, të përditshme, por  janë pikërisht ato që po e ngufatin tërë shoqërinë shqiptare, duke mos i lënë shteg për progres. Brenda faqeve të romanit gjejmë artistin që me punën e tij nuk arrin të sigurojë një jetë normale për vete dhe familjen, gjejmë gazetarin që i zhgënjyer nga jeta jepet pas bixhozit dhe alkoolit, gjejmë njerëz me oreks të pakufishëm për pushtet që nuk i zgjedhin mënyrat për të arritur ngritjen në pozitë, gjejmë edhe të tjerë që sakrifikojnë lidhjet familjare për përfitime sado të vogla, por gjejmë edhe njerëz që udhëhiqen nga dashuria dhe janë këmbëngulës në kërkimin e një jete më të mirë. Me një fjalë brenda romanit shfaqet aktualiteti shqiptar me të gjitha plagët dhe dhembjet e tij. Përjetimet dhe situatat nëpër të cilat kalojnë personazhet e romanit, aq sa janë të tyre, janë edhe të secilit prej nesh, prandaj te lexuesi krijohet ndjesia se gjithçka po ndodh rreth tij.

Derisa kryepersonazhi shpalosë botën e tij përmes përsiatjeve mbi jetën, botën, marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe veten, personazhet e tjera njihen përmes dialogëve dhe relacioneve që kanë me të. Secili nga këta personazhe përfaqëson një segment të jetës dhe shoqërisë, prandaj secili në mënyrën e vet merr pjesë në ndërtimin e imazhit të së sotmes. Ata i shohim tek lëvizin brenda një shtjelle destruktive, forcën e së cilës e krijon shoqëria e zvetënuar nga normat morale e njerëzore. Kjo forcë i tërheq brenda vetes dhe synon t’i çekuilibrojë, në veçanti ata që nuk duan t’u nënshtrohen ligjeve të saj. Të tilla janë pjesa dërmuese e karaktereve të këtij romani, të cilët, pavarësisht nga barra që u ka ngarkuar fati, përpiqen të ecin në drejtim të kundërt me rrjedhën e lumit të shoqërisë, të vetëdijshëm që edhe nëse nuk mund të bëjnë asnjë hap tutje, së paku të mos e shtojnë fuqinë e asaj rrjedhe të gabuar.

Forca e brendshme e karaktereve të romanit dhe vendosmëria e tyre për të qenë kundër devijimeve të shoqërisë, shfaqet në sfondin e romanit edhe përmes muzikës, rok-ut, që glorifikohet si rebelim paqësor ndaj jetës. Rock-u del të jetë një mekanizëm mbrojtës për të neutralizuar pakënaqësinë dhe zhgënjimin që akumulohen çdo ditë e më tepër, në shpirtrat me ndjeshmëri të thellë. Ata janë të vetëdijshëm se tranzicioni nuk është kohë për shfaqje talenti, nuk është kohë për art, përkundrazi, arti dhe shpirti krijues ngulfaten në periudha të tilla. Megjithatë, njëjtësimi me gjigantët e rok-ut, u shërben atyre si një bastun, për t’u mbajtur gjatë shtegtimit nëpër erërat e stuhitë e kohës.

Krahas rok-ut, romani përshkohet edhe nga elemente të tjera simbolike si vdekja, shiu e ëndrra, që bartin kuptime më të thella kur shfaqen krahas peshës së rëndë të jetës. Përgjatë rrëfimit hasen situata ku vdekja ndjehet, por nuk shkakton ankth; pritet, si rrugëtim i pashmangshëm; ftohet, si zgjidhje e vetme e mbetur, apo mendohet, si akt që përmbledh edhe bilancin jetësor. Thuhet se vdekja dhemb më shumë kur jeta nuk jetohet, por personazhet e romanit, të lodhur nga përjetimet, sprovat dhe dhembjet e jetës nuk i frikësohen asaj. Përkundrazi, ajo duket e vetmja pikë drite në fund të tunelit. Ndërsa shiu që e përshkon romanin fund e krye, fuqizon atmosferën e trishtë dhe monotone të kohës, ku njerëzit në vend se të jetojnë, duhet të mbijetojnë. Përpjekjet e tyre për mbijetesë shtresohen në sferat e thella të ndërdijes, ku gërshetohen me dëshirat e shtypura dhe sajojnë ëndrrat përplot makthe, makthe këto, që në fakt janë shëmbëllim i jetës së tyre.

Romani “Në Tiranë bie shi” është një pasqyrë e realitetit aktual, dëshmi e një kohe të pakohë, kronikë e një epoke ku edhe karakteret më të forta shndërrohen në qenie amorfe, ku pamundësia është tipari kryesor i ‘heronjve bashkëkohorë’. Me këtë roman, Kliton Nesturi e pasuron korpusin e veprave letrare që përjetësojnë dhimbjen, sakrificat, përjetimet dhe rezistencën e intelektualëve shqiptarë gjatë periudhës së stërzgjatur të tranzicionit.