Ministria e Kulturës është duke përgatitur dosjen për Eposin e Kreshnikëve, në mënyrë që edhe ai të jetë trashëgimi kulturore botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s.
“Eposi i Kreshnikëve me Lahutë” është ambicia tjetër e radhës, e të gjithë grupeve që po na mbështesin dhe e vetë Ministrisë së Kulturës. Patjetër që është një punë e madhe, shumë voluminoze, si dokumentim, por edhe mënyra e përgatitjes së dosjes”, është shprehur ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjatë një interviste televizive.
Ajo shtoi se “Kcimi i Tropojës” është përgatitur tashmë dhe dosja është futur në radhët e pritjes për t’u shqyrtuar.
Ndërkohë, pas isopolifonisë, xhubleta është trashëgimia e radhës e jona jomateriale që merret në mbrojtje nga UNESCO. Dijebërja e veshjes së xhubletës që daton 4 mijë vjet para, tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila mori pjesë në mbledhjen e Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, që u zhvillua në Marok.
Margariti e cilësoi një lajm të jashtëzakonshëm për trashëgiminë tonë kulturore dhe si dhuratë në 110-vjetorin e Pavarësisë.
“Nga kryeqendra e Marokut, Komunitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, miratoi në formë unanime shpalljen e xhubletës shqiptare dhe bërjen e saj, si pjesë të listës së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s”, tha Margariti.
Ministrja vuri në dukje se, “ky aset për vendin mund të humbiste. Por ne nuk e lejuam që xhubleta të mbetej thjeshtë një relike e të shkuarës dhe me përfshirjen në këtë listë ajo do të ketë jo vetëm mbështetjen e institucioneve tona por edhe atyre ndërkombëtare, që do ta trajtojnë xhubletën si pasuri të gjithë njerëzimit”.
Xhubleta, veshje tipike e zonave të veriut, cilësohet si një prej kostumeve më të rralla popullore, me disa lloje e karakteristika, prerjeje e qepjeje, sipas zonave dhe moshave të grave që e vishnin.