Ursula von der Leyen premton mbështetje të fuqishme për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, nëse merr një mandat të dytë në krye të Komisionit Europian.
“Do të më shihni edhe në mandatin e ardhshëm si mbështetëse të fuqishme të zgjerimit dhe të Ballkanit Perëndimor”, tha von der Leyen.
Duke folur në Bruksel në krah të presidentit të Partisë Popullore Europiane Manfred Veber, shefja aktuale e Komisionit Europian u shpreh optimiste për këtë synim.
“Ky mbetet një proces i bazuar në merita. Jam e lumtur që vendet e Ballkanit Perëndimor, e po ashtu edhe Ukraina, Moldavia, po bëjnë gjithçka që po munden për t’i kryer reformat e nevojshme dhe për të lëvizur drejt Bashkimit Evropian”, shtoi ajo.
Deklaratat, von der Leyen i bëri në konferencën e prezantimit të saj si kandidate e Partisë Popullore Europiane për postin e Presidentes së Komisionit. PPE parashikohet të sigurojë shumicën e vendeve në Parlamentin Europian në zgjedhjet europarlamentare të Qershorit dhe gjasat janë që Ursula von der Leyen të sigurojë edhe një mandat të dytë.