Aktualitet Erdhën për pushime, në vendin ku vdekja nxiton rrugës si e marrë

Erdhën për pushime, në vendin ku vdekja nxiton rrugës si e marrë

Nga Ruben Avxhiu

Po shikoja disa pamje në lajme nga vendi i aksidentit rrugor që masakroi një familje të tërë. Punonjësit e ndërhyrjes së shpejtë dhe të trafikut po kujdeseshin që të mbulonin pamjen e trupave të copëtuar që nxirreshin nga makina. Mirëpo, mund të dalloje plaçka e gjëra të thjeshta të paketuara me kujdes nga familja për pushime.

Imagjinoni që pas një viti të tmerrshëm pune të lodhshme e të rrezikshme si emigrant në kushte epidemie kanë pritur me padurim këto pushime. Kanë bërë plane për plazh e për vizita të njohurish. Kanë zgjedhur me kujdes se çfarë do të merrnin e çfarë jo. Gëzimi i vajzave të vogla për udhëtimin. Për pushimet.

Pastaj kalon një idiot që i jep makinës me shpejtësi se është vonë për të shkuar askund dhe ua pret jetën të gjithëve.

Çfarë duhet bërë me këta vrasës me katër rrota? Sa ka të tillë që nuk kanë pësuar asgjë për jetët e njerëzve që kanë marrë. Di personalisht shumë raste njerëzish që kanë humbur jetën ndërsa fajtorët e vrasjes me makinë, një armë shumë më e fuqishme se një thikë apo një revole që të çon në burg automatikisht kanë vijuar jetën pa asnjë problem. Disa madje janë figura publike.

Reagimet më të mira që kam parë janë ato që nuk ndalen te autorët e krimit, por kritikojnë sistemin. Këto lloj aksidentesh ndodhin kudo. Në SHBA, komuniteti shqiptar ka parë raste të panumërta të rinjsh që u është thyer jeta në mes nga pakujdesia në rrugë. Gërshetimi i moshës së re me drejtimin me shpejtësi, pa kujdes, dhe në gjendje intoksikimi janë një dukuri e njohur.

Për këtë shumë shpesh janë bërë edhe në SHBA fushata ndërgjegjësimi për rininë që të kujtohen sesa shpejt mund ta humbasin jetën ose t’ua humbin të tjerëve. Mirëpo, këto fushata sensibilizimi dhe edukimi, ashtu si shfryrja gjithë trishtim dhe inat që bëjmë pas çdo rasti në internet nuk vlejnë shumë nëse nuk shoqërohen me veprimin e ligjit.

Në Shqipëri, mungesa e zbatimit të ligjit, korruptimi i forcave të rendit dhe organeve të drejtësisë, përfshirja e politikës dhe nepotizmit, prirja për të falur ata që bëjnë krime nëse këto krime nuk na prekin drejtpërdrejt, amnezia e moralit shoqëror e publik bëjnë shoqërinë shqiptare bashkëfajtore në këto aksidente.

Në SHBA, një sistem që gërsheton ndëshkimin e problemeve në rrugë me mjete financiare nëpërmjet çmimeve të sigurimit të automjetit si dhe përndjekjes ligjore të shkelësve të përsëritur të rregullave të qarkullimit vepron në dy drejtime të rëndësishme. Nga një anë edukon, tremb, dhe detyron me kërcënimin financiar dhe ligjor drejtuesit e pakujdesshëm që të mbrojnë veten dhe të tjerët duke u përmbajtur në rrugë. Së dyti, automatikisht heq nga rruga shkaktarët më potencialë të aksidenteve të tmerrshme.

Nuk pritet deri sa dikush të vrasë dikë në rrugë që të ndjejë ndëshkimin e ligjit ose të xhepit. Dikush që shkel në mënyrë flagrante rregullat e shpejtësisë dhe ato të qarkullimit rrugor shpesh nuk e ka për herë të parë. Çfarëdo dënimi që t’u japësh atyre që shkaktuan aksidentin në boshtin Levan-Fier nuk do të sjellë në jetë viktimat. Ata duhen penguar e rikujtuar për dëmin që mund të shkaktojnë në çdo rast të jetës së tyre në timon, sa herë që shkelin rregullat.

Në SHBA, jo rrallë njerëzit revoltohen nga gjobat dhe ndalimet në rrugë. Sistemi është i tillë që anon nga siguria. Sigurimet të ndëshkojnë e përfitojnë nga incidentet. Për nga vetë natyra e tyre, incidentet janë shpesh të debatueshme. Në mungesë të specialistëve, ngjarja mund të keqinterpretohet. Në Shqipëri, ata që shkaktojnë aksidente janë gjithashtu shpesh njerëz që imponohen fizikisht e kërcënojnë viktimën dhe personelin e qarkullimit rrugor.

Të gjitha këto e të tjera i injorojmë derisa i ndodh dikujt që e njohim apo mësojnë një tragjedi madhore si atë të sotmen, e pastaj kapemi me fajtorin e fundit. Por mungesa e një sistemi përzgjedhës dhe ndëshkues për shkeljet e vogla është bashkëfajtor në tragjedinë e sotme, ashtu edhe si të gjithë ne që jemi mësuar të bashkëjetojmë me korrupsionin, me mungesën e zbatimit të ligjit, me faljen e kriminelëve të djeshëm e të ardhshëm.

Në ditët e nxehta shqiptare, kur numri i udhëtarëve dhe pushuesve do të vijë duke u ngritur, le të shërbejë kjo tragjedi e sotme për të frymëzuar më shumë kujdes e vëmendje në rrugë, e mbase pak më shumë nxitje për të luftuar të keqen që në embrion.