Aktualitet “Erdhi për një jetë më të mirë”, detaje për vrasjen 22-vjeçarit shqiptar...

“Erdhi për një jetë më të mirë”, detaje për vrasjen 22-vjeçarit shqiptar në Britani

Foto e viktimës Armend Xhika e publikuar në BBC

Armend Xhika, 22 vjeç, mbeti i vrarë si pasojë e një sherri me thika në Sheffield të Britanisë së Madhe të enjten e kaluar. I riu shqiptar u përfshi në një konflikt që i mori jetën. Ai u dërgua në spital, por fatkeqësisht nuk mundi t’i shpëtojë plagëve të rënda.

E gjithë ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Sheffield. Një shok i tij, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, ka zbuluar për mediat britanike se Armendi kishte shkuar ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe kishte nisur jetën në Sheffield ku mendohet se jetonte edhe e motra. “Për një jetë më të mirë për veten dhe familjen në Shqipëri”, shkruan “The Star”.

Në Britani për një jetë më të mirë

22-vjeçari kishte shkuar në Britani rreth 3 vite më parë. Shoku i tij u shpreh se të rinjtë shqiptarë në përgjithësi paguajnë deri në 26 mijë Paund për të hyrë ilegalisht në Britani dhe për t’i shpëtuar në këtë mënyrë varfërisë në atdheun e tyre. Siç ka rrëfyer ai, ata marrin kredi në bankë, borxh tek miqtë dhe të afërmit ose hua tek bandat kriminale. I riu ka treguar për mediat se Armendi bënte disa punë për të përballuar shpenzimet.

“Vdekja e Armendit ka nevojë që të bëjë diferencën dhe t’i bëjë njerëzit të kuptojë se çfarë po ndodh në Sheffield. Në Shqipëri, puna është e rrallë dhe njerëzit duhet të paguajnë me mijëra Paund që të gjejnë një punë ose të punojnë shumë gjatë për të fituar deri në 300 Paund që të blejnë ushqime, mbajnë familjen dhe të paguajnë për përkujdesje mjekësore. Jetojnë në varfëri ekstreme. Gjenerata e re nuk e do këtë gjë dhe vjen në Mbretërinë e Bashkuar për jetën e ëndrrave, si Armendi, i cili kërkonte që të mbështeste familjen dhe të kishte një jetë më të mirë këtu”, ka thënë ai.

“Bandat kriminale po shfrytëzojnë të rinjtë”

Shoku i viktimës ka paralajmëruar se bandat kriminale po shfrytëzojnë të rinjtë si Armendi duke e ditur që nuk kanë dokumente zyrtare për punë të ligjshme. “Nëse njerëzit janë në borxhe dhe të dëshpëruar për para sepse nuk kanë dokumente atëherë mund të shfrytëzohen. Autoritetet kanë nevojë që të shikojnë gjeneratën e re të shqiptarëve dhe të ofrojnë mbështetjen e tyre përpara se jetë të tjera të merren sepse bien në duart e gabuara”, ka thënë ai.

Miku i 22-vjeçarit ka thënë se shpreson që të lëshohet një apel për të mbledhur para në mënyrë që familja të tërheqë trupin e djalit të tyre dhe ta kthejë në Shqipëri për ta varrosur atje.

Fillimisht policia ka arrestuar 5 persona, nën dyshimet për vrasje, plagosje me dashje dhe bashkëpunim në vrasje. Megjithatë këta persona janë lënë të lirë për të vijuar hetimet në gjendje të lirë që të zbulohet vrasësi i 22-vjeçarit Armend Xhika.