Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, deklaroi këtë të mërkurë se grupi militant palestinez Hamas nuk është një organizatë terroriste, por një grup çlirimtar që bën një betejë për të mbrojtur tokën e tij.
Në një fjalim para ligjvënësve të partisë së tij në parlament, Erdogan tha se Izraeli kishte përfituar nga qëllimet e mira të Turqisë dhe se ai nuk do të shkojë në Izrael siç ishte planifikuar më parë.
“Ne kishim plane për të shkuar në Izrael, por është anuluar. Ne nuk do të shkojmë”, deklaroi Erdogan.
“I shtrëngova dorën këtij njeriu, ne kishim qëllime të mira, por ai përfitoi prej nesh”, tha Erdogan për takimin me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për herë të parë në shtator
“Marrëdhëniet mund të kishin qenë të ndryshme, por kjo nuk do të ndodhë më, për fat të keq. Nuk do të gjeni asnjë shtet tjetër, ushtria e të cilit të sillet me kaq çnjerëzore”, shtoi ai në lidhje me hakmarrjen e kryer nga Izraeli në Gaza në përgjigje të sulmit të përgjakshëm të nisur nga Hamasi më 7 tetor.
Ai e përshkroi Hamasin jo si një organizatë terroriste, por “një grup çlirimtar që bën një betejë për të mbrojtur tokën e tij”.
Presidenti turk bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm midis Izraelit dhe fraksioneve të ndryshme palestineze dhe deklaroi se Izraeli duhet “të dëgjojë thirrjet për paqe”.
Ai kërkoi që Izraeli të “ndalojë sulmet në Gaza”, të cilat ai i quajti “vrasje” dhe të ndalojë “terrorin e vendbanimeve” në Bregun Perëndimor, duke deklaruar se Izraeli duhet “të kërkojë të arrijë sigurinë nga fqinjët e tij rajonalë”.
Erdogan tha më tej se Turqia do të vazhdojë të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme politike, diplomatike dhe ushtarake.
Ai u bëri thirrje vendeve myslimane të “veprojnë së bashku” për të siguruar një “armëpushim dhe paqe të qëndrueshme” dhe tha se shtetet arabe duhet të ofrojnë “mbështetje morale, financiare” ndaj kësaj përpjekjeje.
Udhëheqësi turk gjithashtu ktheu sytë nga komuniteti ndërkombëtar, duke thënë se ishte “i pikëlluar” nga paaftësia e OKB-së për të rënë dakord për një rezolutë në lidhje me bombardimin e Gazës nga Izraeli, duke thënë se Këshilli i Sigurimit duhet “reformuar” në të jetë “më gjithëpërfshirës”.
Ai u bëri thirrje “aktorëve jorajonalë” që të ndalojnë “shtimin e benzinës në zjarr” në mbështetje të sulmeve të Izraelit, të cilat ai i quajti “sëmundje mendore” dhe u bëri thirrje fuqive botërore që të bëjnë presion ndaj Izraelit për të ndalur sulmet në Gaza dhe të sigurojë që porta kufitare e Rafahut të mbetet e hapur për ndihmën humanitare.