Presidenti turk Erdogan dhe homologu i tij serb Aleksandër Vuçiç gjatë një takimi në Ankara ranë dakord se pas zgjedhjeve të prillit që zhvillohen në Serbi do të ndërmjetësojnë bisedimet e krizës që përfshijnë të gjitha palët në Bosnjë dhe Hercegovinë.
“Është e qartë se komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë së bashku për të kapërcyer krizën në Bosnje Hercegovinë. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga hapat që rrezikojnë integritetin territorial të Bosnjë Hercegovinës dhe të veprojnë me ndjenjën e përgjegjësisë. Pas zgjedhjeve në Serbi, ne duam të mbledhim liderët e këtyre tre grupeve dhe të kemi një takim me ta. Me këtë takim, le të ndërmarrim hapa për të siguruar integritetin territorial të Bosnjës”, u shpreh Erdogan.
Vuçiç u shpreh se Serbia ishte e përkushtuar ndaj Bosnjës dhe se ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Ballkan ishte parësore.
Kriza në shtetin ballkanik nisi pasi ligjvënësit nacionalistë në entitetin gjysmë autonom serb të Bosnjës miratuan një mocion për të filluar tërheqjen e rajonit nga forcat e armatosura, sistemi tatimor dhe gjyqësori i vendit – një veprim i mbështetur prej kohësh nga udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik.
Turqia, e cila ka lidhje të thella historike në Ballkan, e ka kritikuar këtë nismë duke e cilësuar “të gabuar, të rrezikshme” dhe ka ofruar të ndërmjetësojë në krizë, e cila ka ngritur frikën e një rikthimi të konfliktit etnik në Bosnje.
Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja ndaj Dodik, pas dyshimeve për korrupsion dhe kërcënim të stabilitetit dhe integritetit.