Ankaraja po luan rolin më aktiv në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund sulmit rus në Ukrainë. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan duket i vendosur të ulë përballë njëri-tjetrit Volodimir Zelenskin dhe Vladimir Putinin, siç bëri kryediplomati turk Mevult Çavushollu me homologët e tij të Kievit dhe Moskës në Antalia.
Pas kthimit nga Brukseli ku mori pjesë në samitin e NATO-s, Erdogan do të bisedojë me presidentin ukrainas dhe me atë rus gjatë fundjavës ose në fillim të javës së ardhshme.
Për Erdoganin, ndërmjetësimi turk i krizës ka qenë i suksesshëm. Në takimin e Antalias, sipas tij, kryediplomatët përafruan qëndrimet në 4 nga 6 çështjet e diskutuara.
Erdogan përsëriti se Turqia “nuk mund të bëjë asgjë” në lidhje me sanksionet perëndimore për shkak të varësisë së saj energjetike nga Rusia. “Unë nuk mund t’i lë qytetarët e mi të bllokuar … Unë nuk mund ta ndaloj industrinë. Ne duhet t’i ruajmë ato interesa”, tha Erdogan.
Dallimet në qëndrime
Dallime në qëndrime, të cilat mbeten për t’u sheshuar është kërkesa e Moskës për njohjen e Krimesë si territor rus dhe pavarësinë e republikave separatiste të Donjeckut.
Kievi është dakord për kërkesën e Moskës që u bë shkak për nisjen e sulmit, për mosantarësimin e Ukrainës në NATO, edhe pse kërkon që të ketë shtete perëndimore garante për sovranitetin.
“Janë 6 tema në negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës, nga të cilat duket se palët kanë “një mirëkuptim” për 4 nga ato. Në fillim, Ukraina nuk donte të diskutonte, por më pas Zelenski u shpreh se mund të tërhiqet nga anëtarësimi në NATO. Një çështje tjetër është pranimi i gjuhës ruse si gjuhë zyrtare në Ukrainë. Këtë e pranoi edhe Zelenski. Rusishtja flitet pothuajse kudo në Ukrainë. Edhe për këtë pikë nuk ka asnjë problem”, tha Erdogan.
Më tej, presidenti i Turqisë u shpreh se komentet e Zelenskit për mbajtjen e një referendumi për kompromise me Rusinë ishte një lëvizje e zgjuar.
Zelenski tha të hënën se çdo ndryshim kushtetues që lidhet me garancitë e sigurisë në vend do të duhet të vendoset përmes një referendumi.
Moska nuk e përjashton një takim Zelenski-Putin, por vetëm kur marrëveshja të jetë në fazën përfundimtare dhe të jetë gati për t’u nënshkruar.