Bota “Erdogan do tjetër qeveri në Athinë”, Mitsotakis: Greqia në shënjestër nga Moska

“Erdogan do tjetër qeveri në Athinë”, Mitsotakis: Greqia në shënjestër nga Moska

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis akuzoi Rusinë se po përdor gazin natyror për të sulmuar Europën.

Kriza energjetike, shtoi Mitsotakis gjatë një takimi me ministrat e kabinetit qeveritar, është një sulm i bashkërenduar kundër Perëndimit nga Rusia, e cila “po kërkon të krijojë trazira sociale dhe paqëndrueshmëri politike brenda vendeve që kundërshtojnë planet e saj duke ushtruar presion ekonomik”.

Ai shtoi se Greqia është ndër vendet që janë në shënjestër nga Moska duke mos kursyer në komente as presidentin turk.

“Zoti Putin nuk po bën asgjë për ta fshehur atë, dhe as zoti Erdogan, i cili ka deklaruar publikisht se do të donte një qeveri tjetër në Athinë”, shtoi Mitsotakis, duke iu referuar respektivisht presidentëve rus dhe turk.

Gjatë mbledhjes kryeministri grek theksoi se ekonomia greke nuk ka burime “të pafundme” për të vazhduar të kompensojë ndikimin e rritjes së çmimeve të energjisë, duke paralajmëruar për një dimër “të vështirë”.