Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusholu do të udhëtojë në Rusi dhe Ukrainë, në kuadër të një intensifikimi nga ana e Turqisë në përpjekjet diplomatike për të gjetur një zgjidhje mes Rusisë dhe Ukrainës.
Kjo u bë me dije nga vetë presidenti Erdogan në një konferencë për shtyp sonte, si tregues i rëndësisë së kësaj vizite.
“Ministri i Jashtëm Çavusholu do të udhëtojë nesër në kryeqytetin rus Moskë, pastaj në Ukrainë në kuadër të përpjekjeve tona për të gjetur një zgjidhje diplomatike për luftën”, tha ai në një fjalim pas një takimi të kabinetit në Kompleksin Presidencial të Ankarasë.
Turqia e sheh atë si një përgjegjësi për t’i dhënë fund vuajtjeve të civilëve ukrainas dhe është përpjekur të vendosë kontakte diplomatike në këtë drejtim, tha gjithashtu Erdogan së fundmi, duke shtuar se “praktikat fashiste” kundër rusëve hedhin një hije mbi luftën legjitime të Ukrainës.
Duke iu drejtuar takimit të Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim në Parlament në kryeqytetin Ankara, ai nënvizoi se Turqia kundërshton lëvizjet që i ngjajnë një “gjueti shtrigash” kundër popullit, letërsisë, studentëve dhe artistëve rusë.
“Praktikat fashiste kundër rusëve hedhin një hije mbi luftën legjitime, të Ukrainës, tha ai.
“Një mentalitet që diskriminon njerëzit e shtypur në bazë të fesë, origjinës apo ngjyrës së lëkurës nuk ka të bëjë fare me njerëzimin apo qytetërimin”, shtoi ai.
Erdogan tha se Turqia kurrë nuk i ka diskriminuar ata që ikin nga lufta dhe nuk ka persekutuar kurrë askënd në bazë të gjuhës, fesë apo ngjyrës së lëkurës së tyre.
Duke thënë se Turqia ndjek një politikë që mbron ruajtjen e integriteteve territoriale dhe sovraniteteve të vendeve, Erdogan shtoi: “Ne jemi thellësisht të pikëlluar nga fakti se tensioni midis Ukrainës dhe Rusisë, që të dyja janë fqinjët tanë përmes Detit të Zi. është kthyer në një konflikt të nxehtë. Ne po bëjmë shumë përpjekje që kriza të mos kthehet në tragjedi”.
Ai shtoi se në bisedimet e tij me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe presidentin rus Vladimir Putin nënvizoi nevojën për zgjidhjen e krizës përmes dialogut dhe diplomacisë në vend të fuqisë së fortë. “Ne shprehëm hapur se rajoni ynë, i cili po lufton me paqëndrueshmëri, nuk mund të përballojë krizat e reja, veçanërisht një luftë që do të ketë kosto të rënda”, tha Erdogan.
Vizita e kryediplomatit turk në Moskë, është e dyta (pas kryeministrit izraelit) e një aktori global.