Bota Erdogan hyn sërish në lojë për negociatat: Rusia dhe Ukraina takohen nesër...

Erdogan hyn sërish në lojë për negociatat: Rusia dhe Ukraina takohen nesër në Turqi

Reuters raporton se Rusia dhe Ukraina do të takohen sërish për të negociuar për t’i dhënë fund luftës, e cila sot është në ditën e saj të 31-të, duke u marrë jetën me mijëra personave.

Teksa citon negociatorin David Arakhamia, krahun e djathtë të ministrit ukrainas të Mbrojtjes, Reuters shkruan se bisedimet mes palëve do të mbahen më 28-30 mars në Turqi.

Pas samitit të NATO-s të premten, Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, u shpreh se për 4 nga 6 pikat e negociatave Ukrainë-Rusi ka “mirëkuptim”.

Për Erdoganin, ndërmjetësimi turk i krizës ka qenë i suksesshëm.

“Janë 6 tema në negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës, nga të cilat duket se palët kanë “një mirëkuptim” për 4 nga ato. Në fillim, Ukraina nuk donte të diskutonte, por më pas Zelensky u shpreh se mund të tërhiqet nga anëtarësimi në NATO. Një çështje tjetër është pranimi i gjuhës ruse si gjuhë zyrtare në Ukrainë. Këtë e pranoi edhe Zelensky. Rusishtja flitet pothuajse kudo në Ukrainë. Edhe për këtë pikë nuk ka asnjë problem”, tha Erdogan.

Dallime në qëndrime, të cilat mbeten për t’u sheshuar është kërkesa e Moskës për njohjen e Krimesë si territor rus dhe pavarësinë e republikave separatiste të Donjeckut.