Presidenti turk Tajip Erdogan i ka kërkuar pronarit të Tesla, Elon Musk, që të ndërtojë një fabrikë të Tesla në Turqi.
Lajmi është bërë i ditur nga qeveria turke. Erdogan pati mundësi që të bisedonte me Elon Musk në godinën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku liderët botërorë janë mbledhur për të marrë pjesë në sesionin e 78 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB.
Gjatë takimit, Erdogan tha se Turqia është e hapur për bashkëpunim edhe me Starlink, një tjetër kompani e Musk, sa i përket fushës së inteligjencës artificiale.
Nga ana tjetër, Musk citohet të jetë shprehur se SpaceX dëshiron të punojë me autoritetet turke për të marrë licencën e nevojshme që të ofrojë shërbime satelitore në Turqi.
Por sa i përket kërkesës së Erdogan që kompania e automjeteve elektrike Tesla të hapë fabrikë në Turqi, nuk pati një përgjigje të menjëhershme.
Megjithatë, sipas njoftimit të qeverisë turke, Elon Musk i tha Erdogan gjatë bashkëbisedimit mes tyre, se shumë furnizues turq janë duke punuar tashmë me Teslan dhe se Turqia është kandidate potenciale për të hapur fabrikën e ardhshme.
Presidenti turk e ftoi Elon Musk që të marrë pjesë në festivalin turk të hapësirë ajrore dhe teknologjisë që do të zhvillohet në Izmir në fund të muajit shtator.