Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ka sfiduar liderin e partisë kryesore opozitare, Partisë Popullore Republikane të cilit i ka kërkuar që të dokumentojë akuzën se ai apo familjarë të tij kanë depozituar shuma parash në parajsat fiskale.
“Ai duhet ta provojë nëse Taip Erdogan ka një qindarkë të vetme jashtë. Nëse provohet, unë nuk do të qëndroj në këtë post presidencial pas asnjë minutë më tej”, ka deklaruar presidenti turk.
Sipas Erdogan, nëse kreu i PPR-së, Kemal Kılıçdaroğlu, nuk arrin të provojë akuzat e veta, atëherë ai duhet të dorëhiqet nga politika. Lideri opozitar akuzoi Erdoganin dhe rrethin e tij pas publikimit të të ashtuquajturit skandali i Paradise Papers, në të cilat rezultonte se djemtë e kryeministrit aktual turk, Binali Yildirim, zotërojnë kompani të regjistruara në Maltë.
“Erdogan, do të të bëj një pyetje të thjeshtë: A e di se fëmijët e tu, kunati, vjehrri, vëllai dhe ish-ndihmësi yt kanë depozituar miliona dollar në një kompani të regjistruar në një nga parajsat fiskale”, akuzoi Kılıçdaroğlu gjatë një fjalë të mbajtur pesë ditë më parë.
Kjo përplasje ka sjellë edhe veprime ligjore, Presidenti turk ka bërë të ditur se avokati i tij ka bërë gati padinë për liderin opozitar që akuzohet për shpifje dhe ndaj të cilit kërkohet një dëmshpërblim prej 350 mijë dollarësh.