Avioni presidencial i kreut të shtetit turk Rexhep Tajip Erdogan ashtu siç ishte paralajmëruar u ul në aeroportin e Rinasit rreth orës 11:00, për të nisur kështu vizitën një ditore në kryeqytetin shqiptar që do të kulmojë me inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë.
Presidenti turk menjëherë më pas u nis në drejtim të Presidencës, i shoqëruar nga një eskortë e përbërë nga dhjetëra efektivë policie, agjentë të SHISH dhe forcave speciale.
Në orën 11:30, eskorta e Erdogan ka mbërritur në Presidencë, ku lideri turk është pritur nga Presidenti Bajram Begaj me një ceremoni zyrtare shtetërore.
Takimi midis Erdogan dhe Begaj pritet të zgjasë rreth një orë, ndërsa më pas Presidenti turk do të zhvendoset në mbledhjen e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë mes delegacioneve të dy vendeve, që nis në orën 13:15.
Më pas lideri turk do të zhvendoset drejt Kryeministrisë, në një tjetër takim “kokë më kokë”, këtë herë me shefin e qeverisë shqiptare, Edi Rama.
Kryeministri dhe Erdogan do të kenë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp në orën 14:35, pasi të jenë nënshkruar 3 marrëveshje mes delegacioneve të dy vendeve.
Më pas, rreth orës 15:00, në Pallatin e Brigadave pritet të shtrohet një drekë në nder të Erdogan.
Vetëm në orët e pasdites Erdogan do t’i drejtohet Xhamisë së Namazgjasë, e cila do të inaugurohet prej tij, 10 vite pasi nisi ndërtimi i saj.
Në ceremoninë që do të zhvillohet për prerjen e shirit në xhami di të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, por do të mungojë kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, të cilin Erdogan e ka akuzuar indirekt si një lidhje e organizatës së Fetullah Gulen në Shqipëri.
KMSH sakaq ka njoftuar se në emër të tyre, në ceremoninë e inaugurimit do të jetë i pranishëm Myftiu i Tiranës, Gazmend Teqja, i cili pritet të jetë edhe imami zyrtar i Xhamisë së Namazgjasë.