Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan propozoi të premten vendosjen e dënimit me vdekje për ata që janë përgjegjës për ndezjen e zjarreve në pyje.
“Cili duhet të jetë dënimi? Dënimi me vdekje? Unë mendoj se ata (zjarrvënësit) duhet të dënohen me vdekje,” u tha Erdogan gazetarëve të mbledhur në resortin turistik të prekur nga zjarri në Marmaris në provincën jugperëndimore të Muglas.
Turqia e hoqi dënimin me vdekje në vitin 2002, kështu që përpara se Erdogan të marrë një vendim përfundimtar, ai fillimisht duhet të votohet nga parlamenti.
Zjarri i Marmaris, i cili u ndez të martën, dogji 4000 hektarë dhe 435 njerëz u evakuuan.
Të premten, një gjykatë në Marmaris dërgoi në burg një burrë i cili “pranoi” se ndezi zjarrin në zemërim për shkak të një grindjeje në familje, raporton agjencia shtetërore e lajmeve Anatolia.
Një tjetër person u arrestua të premten me dyshimin se kishte vënë zjarrin në resortin mesdhetar të Antalias, 500 kilometra në verilindje të Marmaris, raporton Anatolia.
“Dënimi me vdekje do të ishte një mënyrë e mirë për të “frenuar” dhe duhet të konsiderohet seriozisht”, shtoi Erdogan, pa specifikuar nëse ai kishte për qëllim vetëm zjarrvënie apo veprime të tjera që mund të shkaktojnë zjarr.
Verën e kaluar, zjarre të shumta shkatërruan mijëra hektarë sipërfaqe pyjore në të gjithë Turqinë.
Shumë kanë frikë nga përhapja e zjarrit të parë të madh në Marmaris këtë vit në pjesë të tjera të Turqisë.