Politika Erdogan: Na lëndon që organizata terroriste e Gulen gjen akoma vend në...

Erdogan: Na lëndon që organizata terroriste e Gulen gjen akoma vend në një vend mik e vëlla si Shqipëria

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se pret që Shqipëria të punojë më fort për të luftuar anëtarët e organizatës FETO, të drejtuar nga kleriku në ekzil, Fetullah Gulen, të cilin ai e quan organizatë terroriste.

“Në takimet tona nënvizuam luftën tonë kundër organizatës terroriste FETO, që tentoi në 2015 një grusht shteti që donte të rrëzonte demokracinë tonë. Është e qartë që kjo strukturë e cila i ka dyert e lyera për gjakun e të pafajshmëve përbën kërcënim jo vetëm për Turqinë, por edhe vendet ku është e pranishme. Fakti që FETO është ende në gjendje të gjejë fushë veprimi në vendin mik e vëlla, e lëndon thellë vendin tonë. Pritshmëria jonë është që të ndërmerren hapa më të shpejtë dhe më konkretë kundër FETO-s në Shqipëri”, tha Erdogan.

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama nga Tirana, Presidenti i Turqisë, Erdogan, u pyet edhe për integrimin në BE dhe marrëdhëniet me unionin.

Erdogan theksoi se BE vazhdon me teknikat e sjelljes vërdallë, sa i përket integrimit të Turqisë, ndërsa u shpreh se përqendrimi është te NATO. Ndërkohë, ai u shpreh se në Ballkan është e rëndësishme qetësia dhe Turqia do të bëjë çmos për ta ruajtur këtë.

“BE akoma nuk e ka pranuar Turqinë si anëtare të tij, që nga hapja dhe mbyllja e kapitujve. Vetëm një kapitull kemi diskutuar. Teknika e sjelljes vërdallë e BE vazhdon akoma.

Hapat që do të hidhen në lidhjen me NATO-n janë të rëndësishme dhe ne do të bëjmë detyrat tona.

Në Ballkan është shumë e rëndësishme qetësia. Ne do të bëjmë çmos për qetësinë dhe paqen në Ballkan dhe ne do të jemi një nga vendet që e garantojmë këtë gjë”, tha Erdogan.