Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ishte në Bruksel në kuadër të krizës së refugjatëve, por dhe të vetë Sirisë, ku i bëri thirrje NATO-s që të tregojë solidaritetin me Turqinë në këtë periudhe kritike.
“NATO është në një moment kritik kur duhet të tregojë qartë solidaritetin aleat”, tha Erdogan në një konferencë për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës, Jens Stoltenberg.
Erdogan beson se aleatët duhet të tregojnë solidaritet me Turqinë pa diskriminim dhe parakushte politike.
Udhëheqësi turk shtoi se vendi i tij lufton ndaj kërcënimeve nga Siria për nëntë vjet.
“Ne jemi i vetmi vend i mbështetur nga NATO për të luftuar ISIL dhe për t’i dhënë dëshmorë kësaj lufte”, tha Erdogan.
Ai gjithashtu beson se asnjë vend evropian nuk ka luksin të jetë indiferent ndaj konflikteve dhe dramave humanitare në Siri.
Edhe Stoltenberg tha nga ana e tij se asnjë aleat nuk kishte pësuar më shumë sulme terroriste sesa Turqia.
“Asnjë aleat nuk ka marrë më shumë refugjatë se Turqia”, tha Stoltenberg, duke duartrokitur përpjekjet e Turqisë për të ruajtur sigurinë në rajon.
Ai shtoi se Turqia është një aleat i rëndësishëm, i cili ka kontribuar në sigurinë në disa mënyra.
Shefi i NATO-s shpjegoi se aleanca ushtarake ka bërë investime të rëndësishme në sisteme dhe baza ushtarake në Turqi gjatë viteve të fundit, dhe vazhdon të kontribuojë në misionet ajrore dhe detare në Turqi.
“Aleatët janë të gatshëm të vazhdojnë të mbështesin Turqinë dhe të analizojnë se çfarë mund të bëhet më shumë,” tha Stoltenberg, duke iu referuar angazhimit të bllokut për bashkëpunim.
Ai gjithashtu tha se shpresonte që armëpushimi në provincën Idlib të shndërrohej në paqe të përhershme.
Pas takimit me Stoltenberg, Erdogan u takua me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Turqia, e cila ka marrë rreth 3.7 milion refugjatë sirianë, po kërkon mbështetje nga Bashkimi Evropian për një operacion ushtarak në veri-perëndim të Sirisë.
Kjo është e vetmja pjesë e mbetur e kontrolluar nga opozita siriane, e mbështetur nga Turqia, dhe regjimi sirian, me mbështetjen e Rusisë, kërkon të kthejë atë nën kontroll.
BE dëshiron me çdo kusht të shmangë përsëritjen e situatës së vitit 2015 kur mbi një milion njerëz nga Lindja e Mesme arritën në Evropë përmes Turqisë.
BE hyri në një marrëveshje me Turqinë në vitin 2016 sipas së cilës Ankaraja u zotua të mbajë refugjatët në tokën e saj, dhe si kthim Bashkimi Europian premtoi gjashtë miliardë euro që të merrej me migrantët dhe refugjatët.
Rreth gjysma e kësaj është paguar deri më tani, dhe për të vazhduar, BE po i kërkon Ankarasë të ndalojë inkurajimin e refugjatëve për t’u shpërngulur në Evropë në mënyrë të paligjshme.
Presidenti i Këshillit Evropian Michel tha pas takimit me Erdogan se është rënë dakord që Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell dhe Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu, me ekipet e tyre analizojnë zbatimin e marrëveshjes së migrantëve BE-Turqi 2016 dhe sigurojnë që të dy palët interpretojnë atë marrëveshje në të njëjtën mënyrë.
Presidentja e Komisionit Von der Leyen tha se ka dallime të pikëpamjeve midis BE-së dhe Turqisë, por se biseda ishte e hapur dhe konstruktive.
“Refugjatët kanë nevojë për mbështetje, Greqia ka nevojë për mbështetje dhe Turqisë i duhet mbështetje,” tha Von der Leyen, duke shtuar se marrëveshja e vitit 2016 mbetet e vlefshme.
“Sot diskutuam se si të zbatohet ajo që nuk është zbatuar. Ne duhet të arrijmë në një përcaktim të përbashkët se çfarë mungon, çfarë është zbatuar dhe më pas të implementojmë elementet që mungojnë”, tha ajo.