Bota Erdogan po negocion me Hamasin për lirimin e pengjeve izraelite

Erdogan po negocion me Hamasin për lirimin e pengjeve izraelite

Gaza e shkaterruar

Turqia po kryen negociata në lidhje me civilët e mbajtur peng nga grupi militant palestinez Hamas pas sulmit të tij ndaj Izraelit në fundjavë.

Kështu ka bërë me dije një zyrtar i lartë turk, teksa Ankaraja ka shtuar përpjekjet dhe diplomacinë për të ndërmjetësuar konfliktin.

Zyrtari, duke folur për “AFP” në kushte anonimiteti, ka thënë se bisedimet po kryhen nga institucionet përkatëse të Turqisë me urdhër të presidentit turk Rexhep Takip Erdogan.

Ndërkohë, SHBA po punon me Izraelin dhe Egjiptin për daljen e mundshme të sigurt të civilëve nga Gaza. Lajmi është bërë me dije nga vetë Shtëpia e Bardhë.

“Administrata Biden është në “diskutime aktive” për të ndihmuar civilët e Gazës të largohen të sigurt”, tha zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

“Ne besojmë se kalimi i sigurt është i rëndësishëm dhe duam të hapim një korridor kalimi të sigurt”, shtoi ai.

Ndërsa Izraeli thotë se qindra mijëra trupa të ushtrisë janë pranë kufirit me Gazën “gati për të kryer misionin që iu është dhënë”.

Pritet që Izraeli të nisë një sulm nga toka në Rripin e Gazës së shpejti. Ushtria thotë se misioni është që “të sigurohen se Hamasi nuk do të ketë asnjë aftësi ushtarake”.