Bota Erdogan reagon nga Rusia për sulmin terrorist në Turqi

Erdogan reagon nga Rusia për sulmin terrorist në Turqi

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka reaguar për sulmin terrorist të ndodhur këtë të mërkurë pranë TUSAS-it, Qendrës Hapësinore Turke, ku 4 persona mbetën të vdekur.

Nga Kazani i Rusisë, aty ku po mbahet Samiti i BRICS, Erdogan dënoi fuqishëm sulmin, ndërsa tha se 4 persona kanë mbetur dëshmorë, ndërsa 14 janë plagosur.

“Kemi 4 dëshmorë dhe 14 të plagosur. Dënoj këtë sulm të tmerrshëm terrorist dhe uroj mëshirën e Zotit për dëshmorët tanë”, tha ai.

Ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya, përmes një postimi në rrjetin social X (ish-Twitter), konfirmoi sulmin dhe njoftoi për 4 vdekur.

Dëshmitarë okularë i thanë agjencisë Reuters se punonjësit brenda ndërtesës u evakuuan nëpër strehime nga autoritetet dhe nuk u lejua askush të dilte.

Ata raportuan gjithashtu për shpërthime në disa dalje, teksa punonjësit po largoheshin për në shtëpi.

Deri tani konfirmohet se dy nga autorët e këtij sulmi janë neutralizuar, ndërsa vijojnë kërkimet edhe për dy të tjerë.

Fabrika prodhon avionë, ndër to edhe mjete luftarake, dhe ka të punësuar rreth 1,500 persona. Ajo konsiderohet si një vend i rëndësishëm i industrisë së mbrojtjes turke.