Politika Erdogan takohet pasdite me Vuçiç, Rama: Turqia, mik i padiskutueshëm i Kosovës

Erdogan takohet pasdite me Vuçiç, Rama: Turqia, mik i padiskutueshëm i Kosovës

Pas vizitës në Tiranë, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do të udhëtojë drejt Serbisë, ku do të pritet nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

Pikërisht tek kjo vizitë u ndal edhe kryeministri Edi Rama, i cili solli në vëmendje se Turqia ishte e para që njohu Pavarësinë e Kosovës.

Në këtë kontekst, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Turqia është një mik i padiskutueshëm i Kosovës, e presidentin Erdogan e cilësoi si personalitetin që dialogun e ka mjet të zakonshëm pune.

“Për t’ju kujtuar të gjithëve një fakt historik, Republika e Turqisë, kur Erdogan ishte kryeministër, e ka njohur Kosovën e para. Nuk ka qenë një njohje e Kosovës e para thjeshtë zyrtare e diplomatike. Ka qenë një njohje në kohë reale, në sinkron me punimet e parlamentit të Kosovës dhe në momentin kur në televizor, para të cilit ishte mbledhur e gjithë qeveria turke. Kur deputetët e Kosovës kanë ngritur dorën për të miratuar Pavarësinë, qeveria e Turqisë ka njohur Kosovës. Një mik më të pa diskutueshëm në të gjithë ditët sesa Turqia e presidentit Erdogan, republika e Kosovës nuk e gjen dot asgjëkundi. Ne ndajmë shqetësimin që situata mes të dy shteteve duhet të përmirësohet dhe se dialogu duhet të prevalojë. E them këtë përpara një personaliteti që dialogun e ka pasur dhe e ka mjetin më të zakonshëm të punës me të gjithë dhe gjithmonë”, tha Rama.