Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka takuar këtë të premte njeriun që i hoqi “nga duart” administrimin e Bashkisë së Stambollit, pas plot 25 vitesh.
Kryetari i ri i Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu dhe Presidenti turk u takuan në ceremoninë mortore të biznesmenit të njohur në metropolin turk dhe ish-kryetarin e dhomës së tregtisë së Stambollit, Atalay Şahinoglu.
Dy njerëzit më të përfolur aktualisht në Turqi, njëri si President nga radhës e partisë në pushtet dhe tjetri nga radhët e partisë më të madhe opozitare, ishin në rreshtin e parë kur falën namazin e të ndjerit. Më pas, Imamoglu e shoqëroi deri tek makina Erdogan, me të cilin edhe bisedoi për pak kohë në këmbë.
Megjithëse kundërshtarë të ashpër, Imamoglu ka theksuar se ka ardhur në krye të Bashkisë së Stambollit për t’i pajtuar njerëzit dhe se do të takohet me Erdogan sa herë të ketë mundësi.
“Nëse do të kem mundësi ta përshëndes, do ta përshëndes. Nëse do të kem mundësi t’i jap dorën, do ia zgjas dorën. Nëse do të kem mundësi ta përqafoj, do ta përqafoj, e nëse do të më jepet mundësia do të bisedoj me të për të mirën e qytetit”, tha Imamoglu, i cili krejt ndryshe nga Erdogan përdor një gjuhë pajtimi dhe larg toneve të larta të Presidentit.
Ky ishte edhe takimi i parë mes dy liderëve para kamerave që prej zgjedhjeve lokale të 31 Marsit. Pas suksesit në zgjedhjet lokale, në të cilat arriti të mposhtë krahun e djathtë të Erdogan, Imamoglu shikohet gjerësisht si kandidati kryesor që do të vihet përballë Erdogan në zgjedhjet e ardhshme presidenciale që planifikohen të mbahen pas më shumë se 4 vitesh.