Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se e kupton që presidenti turk priste më shumë ndihmë nga BE-ja për krizën e refugjatëve, por shtoi se ai nuk duhet t’i përdorë ata njerëz për ta shprehur këtë pakënaqësi.
Më shumë se 10 mijë emigrantë janë shpërngulur nga kampet e Turqisë dhe kanë shkuar në kufijtë e BE-së, në Greqi e Bullgari, pasi Ankaraja tha të enjten se nuk do t’i mbante më në territorin e vet.
“E kuptoj që Turqia po përballet me një sfidë të madhe në lidhje me Idlibin”, tha Merkel për gazetarët. “Por është e papranueshme që ta bësh këtë në kurriz të emigrantëve”.
Kancelarja gjermane shtoi se BE dhe Turqia duhet të rifillojnë bisedimet në lidhje me marrëveshjen për refugjatët, dhe se Gjermania ishte e hapur ta mbështeste Turqinë në këtë diskutim.
Margaritis Schinas, zv/presidenti i Komisionit Europian dhe njëkohësisht zyrtari më i lartë që merret me çështjen e emigrantëve, tha se askush nuk mund t’i bëjë kërcënime BE-së.
Ai tha se situata e tanishme është krizë, por edhe mundësi e re për Europën.
“Një mundësi që do të na lejonte të mbrojmë bashkërisht kufijtë e jashtëm, të tregojmë solidaritet me Greqinë dhe Bullgarinë, si dhe të vazhdojmë reformën me politikat e migrimit, një nga nismat më emblematike të Komisionit”, tha ai.
Schinas tha se presidentët e tre institucioneve europiane do të vizitojnë kufirin me Turqinë të martën, për të treguar solidaritetin e tyre.