Bota Erdogan, telefonatë me Papën për Gazën: Turp për njerëzimin indiferenca e komunitetit...

Erdogan, telefonatë me Papën për Gazën: Turp për njerëzimin indiferenca e komunitetit ndërkombëtar

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan këtë të enjte ka pasur një bisedë telefonike me Papa Françeskun, gjatë së cilës e ka quajtur “turp për njerëzimin“, indiferencën e komunitetit ndërkombëtar për atë që po ndodh në Gaza.

Telefonata mes tyre vjen vetëm 24 orë pas sulmit të nisur nga presidenti turk kundër Izraelit dhe shprehjes së mbështetjes turke për Hamasin, të cilin ai e konsideroi “një grup çlirimtarësh dhe jo një organizatë terroriste“.

Sipas mediave turke, Erdogan i komunikoi Atit të Shenjtë se sulmet e Izraelit në Gaza kanë arritur “nivelet e një masakre“.

Presidenca turke bën me dije se Erdogan i tha Papës se bastisjet izraelite “nuk gjejnë vend në asnjë tekst të shenjtë”, dhe ka kërkuar që të gjitha shtetet të ngrenë zërin kundër kësaj tragjedie njerëzore.

“Paqja e përhershme në rajon, në të cilin ndodhen selitë e shenjta të tre feve monoteiste, do të jetë e mundur vetëm me krijimin e një shteti të pavarur, sovran dhe gjeografikisht të Palestinës në kufijtë e vitit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqyteti i saj”, është shprehur Erdogan në telefonatën me Papën.

Ai po ashtu ka thënë se Turqia “po bën përpjekje të mëdha për të ofruar ndihmë humanitare dhe mjekësore për Gazën dhe se të gjithë duhet të mbështesin në mënyrë aktive këto përpjekje për të siguruar shpërndarjen e papenguar të ndihmave për civilët e pafajshëm“.