Bota Erdogan telefonon Thaçin dhe Vuçiçin për Jeruzalemin, Presidenca turke “fsheh” detajet

Erdogan telefonon Thaçin dhe Vuçiçin për Jeruzalemin, Presidenca turke “fsheh” detajet

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka realizuar një bisedë telefonike me homologët ballkanikë, Thaçi e Vuçiç, siç njoftohet zyrtarisht nga Zyra e tij.

Sipas asaj çfarë raporton AA, “Erdogan diskutoi zhvillimet rajonale dhe hapat për të forcuar marrëdhëniet me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Nga Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës së Turqisë gjithashtu bëjnë të ditur se tre liderët u pajtuan të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë dhe konsultimin mbi çështjet dypalëshe dhe rajonale”.

Kujtojmë se kjo telefonatë vjen ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Uashingtonit, ku dy palët, nën prezencën e presidentit Trump, morrën vendimin për zhvendosjen e ambasadave në Jeruzalem (në rastin e Kosovës, kur Izraeli ta njeh).

Kjo gjë ka provokuar zemërim në Ankara, pasi Turqia kundërshton me forcë shpalljen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, shoqëruar kjo me zhvendosje ambasadash, një iniciativë e administratës “Trump”, por që kundërshtohet fort dhe nga BE.

Siç shihet, Presidenca turke është treguar e rezervuar në informacione më të detajuara lidhur me bisedat Erdogan-Thaçi dhe Erdogan-Vuçiç, ku për vetë arsyen e tyre, komunikimi s’ngjan të ketë qenë thjesht kortezial.