Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan tha se vendi i tij është i gatshëm të luajë rolin e ndërmjetësit, lehtësuesit ose të japë mbështetje në çdo format të dëshiruar, për t’i dhënë fund tensioneve Rusi-Ukrainë dhe kjo me pëlqimin e të dyja palëve.
Duke folur me gazetarët gjatë kthimit nga Katari, presidenti Erdogan tha se shpresa e Turqisë është që “tensioni të mos rritet edhe më tej dhe të ruhet stabiliteti i rajonit”.
“Ne jemi të gatshëm të japim mbështetjen tonë më të mirë për të krijuar kanale të dialogut”, theksoi ai duke shtuar se “me pëlqimin e të dyja palëve, ne mund të ofrojmë mbështetje në lehtësim, ndërmjetësim ose çdo format tjetër të dëshiruar. Kuptohet, ne do të bëjmë pjesën tonë pa hezitim për paqen në rajon”.
Tensionet që ishin aktuale që nga aneksimi ilegal i Krimesë nga ana e Rusisë në vitin 2014, u përkeqësuan nga separatistët e mbështetur nga Rusia në rajonin kufitar lindor Donbas si dhe grumbullimin ushtarak rus në afërsi të kufirit me Ukrainën.
Të premten, ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov paralajmëroi se Rusia mund të shkaktojë një përshkallëzim të shkallës së gjerë, në janar të vitit të ardhshëm.
Reznikov tha se rreth 94 000 trupa ruse janë vendosur në kufirin ukrainas dhe se forcat e inteligjencës po punojnë për të gjitha skenarët e mundshëm që mund të lindin.
Pas kësaj, SHBA-ja tha se do të ndërmarrë sanksione ekonomike kundër Rusisë në rast se Moska zyrtare përshkallëzon agresionin ushtarak kundër Ukrainës.