Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ka deklaruar për CNN Turk se vrasja e gjeneralit iranian Qasem Soleimani nuk duhet të kalojë pa përgjigje.
“Besoj se vrasja e çdo komandanti nga maja e ushtrisë në çdo vend nuk do të lihej pa përgjigje. Është kruciale që tani të merret kontrolli i krizës që mund të shkaktojë dëme për të gjitha palët e përfshira”, tha Erdogan.
Në një formë apo në një tjetër, presidenti turk ka paralajmëruar se ai beson se Irani nuk do të qëndrojë duarlidhur para asaj që ka ndodhur, ndonëse nuk ka sqaruar nëse e mbështet një gjë të tillë apo jo. Turqia është një vend që ka ndërmarrë së fundmi një angazhim ushtarak në Libi, akt për të cilin ka hasur në kundërshtinë edhe të SHBA.
“Si Turqi, kemi treguar përpjekje serioze deri më sot për të pakësuar tensionet SHBA-Iran. Jemi duke ndjekur me shqetësim rreziqet e afërta që ka krijuar vrasja e Soleimanit në aspektin e paqes dhe stabilitetit të rajonit tonë.
Turqia gjithmonë ka qëndruar kundër ndërhyrjeve të jashtme në rajon dhe këtë sulm e vlerësojmë në këtë drejtim”, tha më tutje ai.
Erdogan njoftoi se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, më 8 janar do të realizojë një vizitë zyrtare në Turqi.
“Me Putin do të flasim për Idlibin. Shpresoj që në këtë takim, ne ta sigurojmë këtë armëpushim. Mos të bien më bombat mbi civilët”, theksoi presidenti turk.