Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, u zotua se integriteti territorial dhe sovraniteti i Sirisë do të mbrohet me çdo kusht dhe se Turqia nuk ka synime të futet atje.
“Turqia nuk i ka vënë syrin territorit apo sovranitetit të një shteti tjetër. Integriteti territorial i Sirisë duhet të mbrohet me çdo kusht. Siria i përket sirianëve me të gjitha identitetet e tyre etnike, fetare apo sektare. Populli i Sirisë do të vendosë për fatin e Sirisë”, tha Erdogan gjatë një fjalimi në Ankara të hënën në mbrëmje.
Erdogan shtoi se do të hapë pikën kufitare me Sirinë, Yayladagi, për të lehtësuar kthimin vullnetar të refugjatëve sirianë në vendin e tyre, pas rrëzimit të Bashar Al-Assad-it.
Pas 13 vitesh luftë civile, rebelët arritën të merrnin kontrollin e Damaskut ndërsa presidenti dhe familja e tij u arratisën në Moskë.
Menjëherë pas rënies së regjimit, Izraeli mori kontrollin e zonës tampon mes dy shteteve në Lartësitë Golan, ndërsa ka raportime se tanket e ushtrisë izraelite janë futur brenda territorit sirian.
Izraeli gjithashtu ka kryer disa sulme ajrore në Siri që prej nisjes së marshimit të rebelëve drejt Damaskut.
Atje veprojnë edhe disa organizata të shpallura terroriste, si Partia e Punëtorëve të Kurdistanit dhe Shteti Islamik.