Çmimi i energjisë do të mbetet i pandryshuar për konsumatorët, vetëm në muajin tetor, duke bërë kështu që fasha 800 kWh të pezullohet.
Enti Rregullator i Energjisë, në mbledhjen e Bordit këtë të premte, u ndal në analizimin e aplikimeve të Furnizuesit të Shërbimit Universal dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare për pezullimin e tarifës 42 lekë për çdo kilovat të konsumuar mbi fashën 800 kWh për muajin tetor.
Sipas Entit, kjo kërkesë vinte në kushtet e përmirësimit të situatës hidrike në vend por edhe sigurimit të sasisë së nevojshme të energjisë për muajin tetor që i është kaluar Furnizuesit me të njëjtat çmime si para vendimit.
Enti miratoi pezullimin e fashës për muajin tetor por nënvizoi se çmimi 42 lekë/kWh mbetet në fuqi periudhën 1 nëntor-31 dhjetor të këtij viti. Kjo mund të ndryshojë nëse operatorët e tregut do të aplikojnë pranë Entit dhe të tregojnë në mënyrë të detajuar kostot e sigurimit të energjisë.
Enti bëri me dije se çmimet do të jenë objekt rishikimi në vazhdimësi për të pasqyruar çdo ndryshim që ndodh qoftë në aspektin e situatës hidrike ashtu edhe për çmimet në bursa.