Vaksinimi i detyrueshëm po kthehet në një problem politik dhe thuajse kulturor në Perëndim. Pas protestave që detyruan qeverinë franceze të zbusë masat e veta anti-CoVid-19, një tjetër sinjal kundër kësaj politike shëndetësore vjen nga Britania e Madhe. Këngëtari i njohur Eric Clapton ka deklaruar se nuk do të pranojë të luajë muzikë në mjedise ku kërkohet me detyrim certifikata e vaksinimit për audiencën.
“Derisa të parashikohet pjesëmarrja e të gjithë njerëzve, unë rezervoj të drejtën të anulloj shfaqjen”, është shprehur Clapton.
Deklaratën e tij e ka shpërndarë në Telegram arkitekti italian, skeptiku i CoVid, Robin Monotti. Qëndrimi i Clapton pason një përvojë të tijën në muajin maj pasi mori vaksinën AstraZeneca nga e cila pati reaksione të forta.