Sport Eriksen: Jam i shokuar nga largimi i Contes, e ardhmja varet nga...

Eriksen: Jam i shokuar nga largimi i Contes, e ardhmja varet nga trajneri i ri

Christian Eriksen është ende i shokuar nga largimi i Antonio Contes nga Interi. Mesfushori danez i cili nuk kishte raporte shumë të mira me trajnerin italian në fillim të aventurës së tij te zikaltrit. madje ishte shumë pranë largimit në merkaton e janarit, arriti të bënte një kthesë 360 gradë duke u përshtatur me skemat e Contes dhe duke fituar besimin e teknikut nga Lecce, i cili e aktivizoi rregullisht danezin në gjysmën e dytë të këtij sezoni. Largimi i trajnerit që i riktheu titullin kampion Interit pas 11 vitesh, ka surprizuar jashtë mase Eriksenin i cili nga grumbullimi me Danimarkën për Euro 2020 e ka komentuar kështu lamtumirën e Contes, ndërsa ka folur edhe për të ardhmen e tij duke lënë gjithçka të hapur.

“Largimi i Contes ishte një surprizë e madhe. Papritur ai u largua dhe si të gjithë të tjerëve, edhe mua m’u duk vendim absurd. Mbi të gjitha ishte diçka shumë e papritur sepse ne sapo kishim fituar titullin kampion. E ardhmja? Nuk e di çfarë do të ndodhë, fillimisht mendoj për Kampionatin Europian. Nuk e di nëse ikja e Contes është diçka e mirë apo e keqe, por do dëshiroja të mos luaj para mbrojtjes, por më i avacancuar. Tani do të varet nga trajneri i ri dhe strategjitë e klubit”, u shpreh Eriksen.

Në sezonin që sapo u mbyll 29-vjeçari u aktivizua në 26 takime me Interin duke realizuar dhe 3 gola.