Sport Eriksen prezantohet me klas në “La Scala”: Conte më entuziazmon

Eriksen prezantohet me klas në “La Scala”: Conte më entuziazmon

Vetëm pak orë pas vizitave mjekësore, Inter konfirmoi afrimin e Christian Eriksen. Klubi e zyrtarizoi në mënyrë teatrale përforcimin e ri të merkatos së janarit, me një fotografi plot klas në “La Scala”.

Christian Eriksen ka zgjedhur numrin 24 në fanellën e Interit. Nuk ka lidhje me ndarjen tragjike nga jeta të Kobe Bryant, ka një tjetër shpjegim: Te Tottenhami Chris mbante numrin 23, kështu që numrin 24 e konsideron një hap para në karrierë.

Pas zyrtarizimit, vijnë dhe fjalët e para të mesfushorit danez: “Mezi prisja të mbërrija këtu, është bukur dhe jam shumë i lumtur që jam lojtar i Interit. Jam shumë i emocionuar dhe po pres me padurim të njoh tifozët. E kam ndier mbështetjen e tyre, është një pritje fantastike. Conte? Kam patur mundësinë ta njoh kur isha te Tottenhami, jam përballur disa herë me Chelsea-n e tij, ishte shumë e vështirë. Mundësia për ta njohur dhe mësuar sesi luajnë skuadrat e tij, më entuziazmon.”

Shifrat

Eriksen shpërtheu në një moshë shumë të re tek Ajax. Prej atje kaloi në Angli, me Tottenham, ku e “shenjtëroi” veten si një nga mesfushorët më të mirë sulmues në të gjithë skenën e futbollit botëror. Ai do të veshë fanellën me numrin 24 tek Interi.

Danezi do të paguhet me 10 milionë euro në sezon, përfshirë bonuse të tjera. Për t’u siguruar shërbimet e tij, klubi i Serie A ka derdhur në arkën e “Spurs”, që zotëronin kartonin e lojtarit në fjalë deri në qershor të këtij viti, plot 20 milionë euro. Po kështu, për Tottenham do të shkojnë edhe të ardhurat e një miqësoreje mes dy skuadrave, e planifikuar të luhet gjatë verës, në përgatitjet parasezonale.

Shitet Gabigol

Ndërkohë, klubi zyrtarizoi edhe akordin me Flamengon për Gabigol. Pasi i dhuroi klubit brazilian Kupën Libertadores, dëshira e sulmuesit u plotësua. Gabigol mbetet te Flamengo, me Interin që përfitoi 17 milionë euro, si edhe ruan 15 për qind të kartonit, në rast se lojtari do të rishitet.