Ermal Mamaqi ka dhënë së fundmi një intervistë për “Prive”, ku ndër të tjera deklaroi se Elvana Gjata është aktorja më e paguar e filmave shqiptarë.
Ai njoftoi së shpejti do të nisë punën për “Dy gisht mjaltë 2”, i cili sipas tij do të ketë më shumë sukses se i pari.
“Unë mendoj se ‘Dy gisht mjaltë 2’ do ketë më shumë sukses se i pari. ‘Dy gisht mjaltë’ është një nga dashuritë e mia të para në botën e prodhimeve të filmave sepse më mësoi si vërtet bëhet një film, një prodhim kinematografik. Elvana gjithashtu është një nga njerëzit e mi të dashur, e cila më ka ndihmuar të bëj hapa të mëdhenj në jetë dhe besoj kjo duket në prodhimin e filmit dhe atë që do vijë më vonë”, tha ai.
I pyetur se çfarë kushtesh ka Elvana për t’u bërë pjesë e filmave të tij, producenti u shpreh se ajo nuk ka vendosur asnjë kusht, por shtoi se të marrësh atë në një film duhet të jesh i përgatitur mirë financiarisht.
“Ne kemi hyrë pa kushte, por padyshim që Elvana është një nga artistet më të shtrenjta në historinë e muzikës dhe filmave shqiptarë. Kështu që të marrësh Elvana Gjatën në një prodhim të çfarëdolloji duhet të jesh shumë i përgatitur financiarisht. Unë e di si janë pagesat e aktorëve, këngëtarëve etj., dhe me shumë siguri dhe garanci të them që është aktorja më e paguar ndonjëherë në historinë e filmave shqiptarë”, ka thënë Ermali.