Futbollisti Ermir Lenjani ka vendosur të tërhiqet nga kombëtarja shqiptare, pas mbi 10 vitesh.
Përmes një postimi në Instagram, futbollisti është shprehur:
“10 vite kuqezi, 10 vite krenari dhe realizim i ëndrrës së fëmijërisë! Të dashur miq! Dua t’ju njoftoj se kam vendosur të tërhiqem nga kombëtarja shqiptare. Një vendim aspak i lehtë, por besoj që është momenti i duhur. Për mua ka qenë gjithmonë nder dhe përgjegjësi e madhe të vesh fanellën e kombit tim. Jam shumë krenar që emri im është pjesë e historisë së futbollit shqiptar dhe që ëndrra ime e fëmijërisë u realizua në vitin 2016, ku bëmë krenarë kombin kuqezi me përfaqësimin historik për herë të parë në një Kampionat Europian”.
Më tej, shtoi: “Kam plot momente të bukura me fanellën kuqezi, që nga debutimi në ndeshjen ndaj Bjellorusisë, te goli i parë në “Elbasan Arena” ndaj Danimarkës, fitorja historike në Francë 2016 ndaj Rumanisë dhe grumbullimi im i fundit në muajin mars 2023 me kombëtaren, ku nisi edhe rruga drejt kualifikimit në “Euro 2024”. I jam falënderues Zotit, familjes sime dhe çdo personi që më ka qëndruar pranë në çdo moment. Çdo fillim e ka një fund dhe rrugëtimi im nuk do të ishte i mundur pa trajnerët Gianni De Biasi, Christian Panucci, Edoardo Reja dhe Sylvio Mendes Campos Júnior, të cilët dua t’i falënderoj nga zemra për besimin e dhënë.
Gjithashtu, dua të falënderoj stafin teknik të kombëtares, Federatën Shqiptare të Futbollit, presidentin Armand Duka dhe të gjithë shokët e skuadrës që më kanë mbështetur në rrugëtimin më të veçantë të jetës sime”.
Ai falenderoi tifozët dhe mbështetësit e tij:
“Në fund, falënderimi im më i madh është për tifozët e kombëtares shqiptare. Në çdo stadium në Shqipëri dhe në Europë jemi ndjerë si në shtëpinë tonë, falë jush, tifozët më të mirë në botë. Tani e tutje jam si të gjithë ju, gjithmonë krah kombëtares shqiptare dhe djemve kuqezi. Faleminderit nga zemra shqiptarë. Një kapitull i mbyllur, por një rrugë e përjetshme!”.
35-vjeçari luan aktualisht me Schaffhausen, në kategorinë e dytë të Zvicrës.
Ermir Lenjani ka luajtur 45 ndeshje me Kombëtaren, duke shënuar 5 gola.