I ftuar në emisionin ‘Opinion’, gazetari investigativ Artan Hoxha ka folur për zhdukjen e Ervis Martinaj, një i shumëkërkuar i drejtësisë. I pyetur nga Blendi Fevziu se si e ndan, është rrëmbyer apo është eliminuar, Hoxha përgjigjet se sipas tij, Ervis Martinaj mund t’i fshihej drejtësisë e policisë, por duke njohur armiqtë e tij, vetë gazetari nuk mendon se ai është fshehur. Gjithashtu ai shprehet se familja e të shumëkërkuarit tashmë ka hapur dyert e mortit.
Artan Hoxha: Është shumë e thjeshtë, kjo pjesa e ndarjes bëhet kur bëhet parashikimi për ndeshjet e futbollit. Nga momenti që ka ardhur informacioni i parë në datë 9 dhe deri ditën e hënë nuk kam folur fare, nuk kam bërë asnjë reagim, kam pritur. Të hënën kam bërë reagim publik. Kam qenë në banesën e familjes së Martinaj.
Blendi Fevziu: Ke qenë në banesën e tij?
Artan Hoxha: Po në shtëpinë e tij është morti i hapur, në malësi thuhet “kryet shnosh”. Sigurisht që edhe ata e kanë një shpresë dhe unë uroj që të jetë kështu, që të jetë ky varianti…
Blendi Fevziu: I zhdukjes.
Artan Hoxha: Që ai t’i ketë rrëshqitur gjithë Shqipërisë. Unë mund ta besoja këtë gjë, po të mos njihja armiqtë e tij. Po unë i njoh shumë mirë armiqtë.
Blendi Fevziu: Ti je i bindur se është eliminuar?
Artan Hoxha: Për fat të keq jo vetëm ka ndodhur, por këtë kakofoninë e madhe nuk po e bëjnë mediat. Janë mediat pranë qeverisë që po e bëjnë këtë gjë. Këtë gjë e mbyll me një reagim publik, siç bën për çdo ngjarje, policia.
Blendi Fevziu: Ka dijeni policia?
Artan Hoxha: Nuk ka rëndësi sa dijeni ka, ata kanë një hetim. Me anë të këtij hetimi, ata nuk mund të flasin me përqindje, por sigurisht meqenëse është një ngjarje që ka sensibilitet të jashtëzakonshëm. Për mua është vija e demarkacioni të një dekade të krimit të organizuar. Tani fillon dekada tjetër. Heshtja e autoriteteve që flasin dhe për gjëra koti është bërë qëllimisht. Kur flas për ngjarjen kam parasysh që kam qenë dhe kam folur edhe me njerëzit e tij. Unë anoj nga faktet. Faktet jo gjithmonë i ka policia dhe prokuroria.
Blendi Fevziu: Faktet ku të çojnë?
Artan Hoxha: Për fat të keq faktet dëshmojnë se kemi të bëjmë me atë që të thashë, me një ngjarje që shënon një vijë demarkacioni nga dekada që mbyllëm me dekadën që do të vijë.
Blendi Fevziu: Ti mendon se është eliminuar?
Artan Hoxha: Kjo mënyrë që është zgjedhur për ta anashkaluar këtë ngjarje nga autoritetet është mënyra më e frikshme për të dëshmuar se në çfarë niveli është sot krimi i organizuar në Shqipëri.