Kryesore “Erzen Breçani polic i vlerësuar, por…”, Berisha sulmon edhe Artan Hoxhën: Anëtar...

“Erzen Breçani polic i vlerësuar, por…”, Berisha sulmon edhe Artan Hoxhën: Anëtar i bandës Bajri në Shkodër

Sali Berisha mbajti këtë të premte konferencën e përjavshme me gazetarët, ku u ndal tek arrestimi i ish-drejtuesit të lartë të policisë Erzen Breçani.

Berisha në fjalën e tij se pretendimet që Breçani ka qenë badigard i tij personal nuk janë të vërteta.

Ish-kryeministri shtoi se qëndrimi i tij në lidhje me arrestimin e simpatizantit të PD është ligji dhe vetëm ligji.

Ai thekson se nëse Breçani ka thyer ligjin atëherë duhet të përgjigjet përballë drejtësisë.

Berisha sulmoi sot ashpër edhe gazetarin investigativ Artan Hoxha, pas deklaratave që ai bëri mbrëmë se pse po hesht për arrestimet që janë bërë nga SPAK për grupin ku dyshohet se bënte pjesë edhe ish-nëndrejtori i policisë, Erzen Breçani, djali dhe Ervin Mata, familja e të cilit po ndërton një kullë te ish-Ekspozita “Shqipëria sot”.

Berisha e cilësoi Hoxhën anëtar të bandës Bajri në Shkodër, se do të japë llogari dhe të mos mendojë se do kalojë krimet që ka kryer në emër të bandës, duke shpifur, duke trilluar, duke folur poshtë e përpjetë.

“Së pari, Erzen Breçani të garantoj se nuk ka qenë kurrë në jetën e tij, badigard i Sali Berishës dhe kjo është një gënjeshtër e bazuar në mashtrime.

Nuk ka qenë jo se Sali Berisha ka pasur vërejtje për të, ai ka qenë një polic gjerësisht i vlerësuar në kryerjen e deyrës në të gjitha postet që ka pasur.

Kështu që t’i themi ato siç janë.

Së dyti, për Erzen Breçanin dhe për çdo njeri tjetër, Sali Berisha ka vetëm një qëndrim, ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin.

Kushdo që ka shkelur ligjin, duhet të bëhet përgjegjës para ligjit.

Së treti, se kam dëgjuar unë, dhe dua t’i them atij anëtarit të bandës së Bajrit, që deklaron se ajo kulla e Matës (Ervin Matës) qenka e një të afërmi tim, unë kërkoj që nesër, nëse është e një të afërmi tim, ajo të konfiskohet. Unë nuk kam asnjë dijeni.

Po i them anëtarit të bandës Bajri, mirë është të shkojë dhe të japë llogari dhe të mos mendojë se do kalojë krimet që ka kryer në emër të bandës, duke shpifur, duke trilluar, duke folur poshtë e përpjetë. Se ato nuk e shpëtojnë.

Se ai është anëtar i paguar i bandës së Bajrit, me dokumente. Me dokumente!

Siç e kam akuzuar atë unë njëherë për hjekës në vrasje, se është vrarë djali 24-vjeçar në Zemblak, vetëm e vetëm pse denoncoi te ai, i keqpërdorur nga policia dhe të gjitha anët, denoncoi parcelat e drogës të oficerëve të policisë në Korçë dhe mori plumb pas koke në Zemblak 24-vjeçari.

Tani i them atij, avash-avash, duhet të marrësh atë që do marrin Bajrët me shokë.

Duhet t’ia them këtu, sepse kur Bajrët ulën në studiot televizive, bashkë me ju, dhe u kapardisën si njerëz me njohuri të thella, për faktin e vetëm se janë anëtarë të bandave më të rrezikshme, ata e meritojnë të shkojnë atje ku e kanë vendin dhe jo në studiot televizive.

E them këtë në emër të interesit publik, për të tjerat do njiheni më vonë.

Në fund, çdo njeri që shkel ligjin, duhet të marrë atë që meriton. Nuk kam asnjë lloj komenti tjetër, pavarësisht se kush është.

Nuk gjen kush kurrë një njeri që të kem mbrojtur një shkelës ligji. Asnjëherë!”, tha Berisha.