Nga Aurenc Bebja*, Francë
“Le Petit Parisien” ka botuar, të martën e 1 prillit 1919, në faqen n°2, intervistën me Esat Pashë Toptanin, të zhvilluar gjatë Konferencës së Paqes në Paris, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Deklaratat e Esat Pashës
Gjenerali Esat Pasha, ish-komandant i përgjithshëm i forcave shqiptare që luftuan përkrah trupave aleate në Frontin Lindor, ka qenë në Paris për dy ditë, ku ka ardhur për të përfaqësuar Shqipërinë në Konferencën e Paqes.
Gjatë një interviste që ai pranoi të na jepte, gjenerali Esat Pasha na shpjegoi qëllimin e misionit të tij:
“Që nga fillimi i luftës, na thotë ai, unë kam mbështetur kauzën e Aleatëve dhe kam mbajtur një qëndrim të vendosur për Antantën. Është e natyrshme që, si President i Qeverisë, unë të vija të mbështes në Konferencë të drejtat dhe aspiratat e ligjshme të popullit shqiptar. E kam fjalën për respektimin e të drejtave që i janë dhënë popullit tim në marrëveshjen e Konferencës së Londrës në 1913. Prandaj do të përpiqem të rregulloj kufijtë që na janë dhënë. Nëse ata zgjerohen, do të jetë shumë më mirë. Por përpjekjet e mia do të jenë për të siguruar që ata të bazohen në themele të forta.”
Dhe ndërsa ne vumë re se një tjetër delegacion shqiptar gjendej aktualisht në Paris, gjenerali sqaroi:
“Unë mora vesh, në të vërtetë, se ardhja ime pothuajse përkoi me të ashtuquajturit delegatë shqiptarë që kaluan pjesën më të madhe të kohës gjatë luftës në Vjenë, në Kostandinopojë ose gjetkë. Nuk e di se çfarë mund të vijnë për të bërë në Paris; por e di që gjatë gjithë periudhës së armiqësive, ndërsa unë isha duke luftuar në krye të trupave të mia përkrah Antantës, ata mezi lodheshin në favor të aleatëve. Sot, ata do të ishte më mirë dhe më saktë t’i cilësojmë si delegatë të Hohenzollern-it ose të Habsburgëve dhe jo si përfaqësues të Shqipërisë. Përveç kësaj, unë nuk kam ndërmend të kujdesem për atë që do të bëjnë.”
Dhe gjenerali Esat Pasha përfundoi me një ton energjik: “Njerëzit tanë janë të vetëdijshëm për deklaratat e ndryshme që janë bërë nga Presidenti Ëilson, z. Clemenceau, Lloyd George, Orlando, Briand dhe personalitete të tjera të shquara. Të gjithë shqiptarët kanë shpresën e fortë se të drejtat e kombeve të vogla do të merren parasysh dhe mbrohen me të njëjtën frymë drejtësie si ato të fuqive të mëdha.”
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania