Histori Esat Pasha para se të nisej në frontin e luftës franko-gjerman: Jam...

Esat Pasha para se të nisej në frontin e luftës franko-gjerman: Jam armik i Austrisë

Nga Aurenc Bebja*, Francë

“L’Echo de Paris” ka botuar, të enjten e 6 prillit 1916, në faqen n°4, intervistën me Esat Pashë Toptanin, para se të nisej për të vizituar frontin e luftës franko-gjerman, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Esat Pasha u nis për në front

Esat Pasha, kreu i qeverisë shqiptare që i rezistoi sulmit austriak në rajonin e Durrësit, dhe që aktualisht ndodhet në Francë, po niset sot në mëngjes për një vizitë në front. Ai shoqërohet nga z. de Fontenay, ministër i Francës në Shqipëri, dhe nga z. Krajewski, delegat i Francës në komisionin e kontrollit për Shqipërinë. Ai na priti dje dhe na tha:

“Unë jam armiku i Austrisë. Unë mbroj kundër saj, ashtu si ushtarët tuaj kundër Gjermanisë, pavarësinë kombëtare. Austria vazhdimisht ka kërkuar të aneksojë popujt fqinj, duke mbjellë ndarje midis tyre, me qëllim instrumentimin dhe rekrutimin e trupave të saj në mesin e tyre. Ajo praktikoi këtë sistem në Bosnje dhe Hercegovinë dhe dëshiron ta praktikojë po ashtu në mesin e shqiptarëve.

E kam vënë re menjëherë pas luftës së parë ballkanike, kur ajo dëshironte të impononte si sovran një gjerman, Princin e Urach-it, të martuar me një arshidukeshë. Agjentët austriakë me kontaktuan me të gjitha mënyrat dhe më kërkuan të mbështesja kandidaturën e tij. E kam luftuar pasi e di se si të luftoj dikë.

Na imponuan Princ Vidin, një gjerman tjetër që nuk merrte vesh pretendimet e popullit që do të udhëhiqte. Austria e kishte zgjedhur atë si të tillë që të mbretëronte nën emrin e tij.

— A do ta instalojë ajo sërish në Durrës?

— Dyshoj shumë. Ajo nuk ka më nevojë për këtë “kukull”.

— Kë mori si guvernator?

— Një kushëri timin të largët, i cili ishte menaxheri (shërbëtori) im në fshat.

— Ajo do të preferonte të ishit ju?

— Nuk më kanë munguar ofertat.

— Si merret vesh ajo me bullgarët? Sepse edhe ata kanë pretendime në Shqipëri.

Esat Pasha buzëqesh në mënyrë djallëzore:

— Këto janë pretendime të parealizueshme. Austria i ka lënë bullgarët të vijnë deri në Elbasan dhe Peqin, me shpresën për t’i stërvitur kundër trupave italiane në Vlorë. Por bullgarët nuk do të marshojnë kundra Vlorës.

— Ata mblodhën në Sofje një kongres të shqiptarëve…

— Këta shqiptarë nuk kanë as toka, as shtëpi, as dyqan në Shqipëri. Çfarë dëshironi që ata të përfaqësojnë?

Esat Pasha e tha këtë me një lloj krenarie. Na duket sikur shohim në sytë e tij imazhin e pasurive të mëdha që ai zotëron në diell, atje. Sidoqoftë, insistojmë:

— Pra, këto ambicie bullgare?…

— Të paarritshme, po ju them. Më së shumti ka në Sofje një njeri që mendon të marrë Shqipërinë, ashtu si Vilhemi II do të dëshironte të merrte shumë gjëra.

— Do të shihni, në front, se Vilhelmi II nuk ka gjasa të arrijë qëllimet e tij?

— Oh! u përgjigj qetësisht Esat Pasha, nuk kisha nevojë të shkoja në front për të dyshuar për të!

*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania