Zyrtari i lartë amerikan, Gabriel Escobar, deklaroi në një intervistë për Sokol Ballën në News 24 se vendimi për Berishën nuk është një vendim politik por një vendim institucional.
Ai theksoi se nuk është marrë vendimi nga kjo administratë apo vetëm nga një institucion por kanë qenë edhe administrata para saj që janë marrë me këtë çështje.
“Nuk është një vendim politik. Është një vendim institucional. Dhe nëse sheh rastet e shpalljeve të bëra dje në veri të Kosovës, ato hetime u deshën vite të zhvilloheshin. Nuk është thjesht kjo administratë, por edhe administrata e mëparshme dhe administrata para saj, ndaj askush nuk duhet t’i shohë këto vendime si vendime politike të bëra nga një administratë apo nga një institucion”, tha Escobar.
Lidhur me provat në dosje, Escobar nuk dha detaje, pot tha se duhet që drejtësia shqiptare duhet të hetojë dhe të dënojë njerëzit që janë pjesë e këtij korrupsioni.
“Ku janë hetuesit vendas dhe prokurorët vendas në raste si këto? Dua të them, ne e bëmë sipas ligjeve tona, rregullave tona, autoriteteve tona. Por edhe ju keni disa në vend. Pra, nëse doni ta dini, hetoni. Nëse doni të dënoni, bëni ndjekje penale. Nëse doni të ndëshkoni, dënoni njerëzit që janë pjesë e këtij korrupsioni sepse kjo nuk ka të bëjë me Amerikën që lufton korrupsionin në Shqipëri, por ka të bëjë me Amerikën që mbështet luftën tuaj kundër korrupsionit. Kjo është pyetja ime”, theksoi Escobar.
Më tej i ai paralajmëroi pasoja nëse PD-ja zgjedh Berishën të shpallur non grata duke theksuar se SHBA-të nuk takohen me të.
“Nuk takohemi me të. Është i shpallur. Pra, do të ketë pasoja nëse Partia Demokratike zgjedh dikë që është i shpallur për të qenë udhëheqësi i saj”, paralajmëroi i dërguari special për Ballkanin Perëndimor.