Pas përplasjes me Alibeajn në foltoren e Kuvendit, Sali Berisha ka debatuar edhe me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla.
Berisha iu drejtua Nikollës, duke i thënë se do të marrë përgjigjen e merituar nëse do të përdorë sërish fyerje.
“I turpshëm ishte akti yt. Ju prevalonit diskutimin. Është hera e dytë që ti përdor fyerje, por nëse vazhdon këtë mënyrë, do të marrësh përgjigjen e merituar”, i tha Berisha, Nikollës.
Berisha, në fjalën e tij në Kuvend tha se Edi Rama është kryeministri i parë në Europë që nxirret nga avioni nga policia gjermane, veprim që sipas tij bëhet vetëm me të burgosurit.
“Së pari të dashur qytetarë jam sot këtu për të falenderuar për herë të parë Edi Ramën, i cili i tmerruar në panik deklaroi se nuk bashkëpunon me mua. E siguroj se ky është një nder i veçantë dhe do vazhdoj betejën time deri sa të marrë vendin që meriton.
Jam këtu gjithashtu për të thënë se në një proces mafioz, i shndërruar njëlloj si tenderat sekrete që zhvillohen në Kryeministri, kurrë nuk mund të përlyhet opozita dhe të marrë pjesë.
Së treti ky është kryeministri i vetëm në Europë dhe në botë, që nxirret nga policia nga avioni. E dini ju se çfarë tmerri panë pasagjerët aty? Pasagjerët panë tmerr sepse nga avioni me polici nxirren vetëm të burgosurit që një qeveri ia dorëzon një vendi tjetër me marrëveshje… kur e panë që s’kishte hekura nëpër duar, u tmerruan më shumë. E morën për përfaqësues të një organizate terroriste. Ja ky është kreu juaj.“
Berisha tha se opozita do kujdeset që t’i sigurojë kryeministrit Edi Rama vdekjen politike dhe ai do të dalë para shqiptarëve për të kërkuar falje.
“Mbatharaku ia mbathi. Është rasti më klasik i psikozës së vdekjes. Psikoza e vdekjes e kap njeriun kur ai ka kryer krime që tejkalojnë në dëmet e tyre edhe vrasjet. E kap njeriun kur bashkëpunëtorët e tij ndodhen në biruca dhe çdo natë e thërrasin eja tek ne. E kap njeriun kur e di që është kapur në flagrancë duke vjedhur mandatet në këtë parlament dhe votën e shqiptarëve.
Ai parafytyron natën me ankthe, masa të revoltuara njerëzish. Psikoza e vdekjes e kap njeriun që vjedh dhe është i tmerruar nga trofetë që ka vjedhur. I them që je i pashpresë dhe pa shpëtim. Opozita vdekjen politike do ia sigurojë. Do dalë këtu të kërkojë ndjesë shqiptarëve”, deklaroi Berisha.