Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës në Kuvendin Kombëtar për gjuhën shqipe, deklaroi se shqipja do t’i mbijetojë barbarive të këtij shekulli me rrjetet sociale, madje shtoi se shumë shpejt ajo do të jetë një gjuhë zyrtare në Bashkimin Europian.
“Ka ende shpresë që gjuha shqipe t’i mbijetojë barbarisë së këtij shekulli që kërcënon gjerësisht gjuhët në tërësi dhe rrënjët e njerëzimit në përgjithësi”, u shpreh kreu i qeverisë.
“Shumë shpejt, do të jetë edhe gjuhë zyrtare në BE, ku në mos gjuha më e lashtë e kombeve europiane, do të rreshtohet ndër më të rrallat e të veçantat mes tyre. Dua të them se ky Kuvend vjen edhe si produkt i samitit të 3 të diasporës të mbajtur në Tiranën nëntorin e vitit të shkuar ku shqipja ishte një nga temë kryesore dhe nga ju ne dolëm së bashkë me komunitetin në disa përfundime e morëm disa angazhime”, shtoi Edi Rama.
Rama u bëri thirrje studiuesve dhe akademikëve të gjuhës shqipe që ta mbrojnë atë nga sulmet e atyre që ai i quajti delirantë e injorantë, të cilët përhapin idetë e tyre përmes platformave në rrjetet sociale.
“Fjalori i gjuhës shqipe, më në fund pas gjysmë shekulli përditësohet falë punës monumentale të bërë nën kujdesin e Akademisë së Shkencave dhe me pjesëmarrjen e gjuhëtarëve dhe akademikëve nga Kosova, Shqipëria, dhe Maqedonia e Veriut. Nesër, në dijeninë time do të prezantohet publikisht edhe drafti i këtij fjalori sepse fjalori do të hidhet në një konsultim shumë të gjerë publik dhe do të merren të gjithë ato sugjerime e vërejtje që me gjasë mund ta pasurojnë por me siguri do ta konsolidojnë si një produkt të përbashkët të një rezistence të domosdoshme në një përpjekje ku ne nuk e kemi të mundur të jemi në sulm, sepse jemi nën agresionin e barbarisë dhe gjithfarëlloj injorantësh dhe delirantësh që gjejnë hapësire falë botës së rrjeteve sociale, por e kemi detyrim të jemi në mbrojtje që të mos lejojmë që gjuha të degradojë në pikën e moskthimit”, tha Rama në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar për Gjuhën Shqipe, që mbahet në Tiranë.