Politika Është nën hetim nga SPAK për aferën 100 milionë euro, Ilir Beqaj...

Është nën hetim nga SPAK për aferën 100 milionë euro, Ilir Beqaj tani do të drejtojë negociatat me BE-në

Ilir Beqaj ne SPAK

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka marrë një post të ri dhe të rëndësishëm, teksa pritet të jetë kryetar i grupit negociator për negociatat me Bashkimin Europian.

Ndonëse nën hetim nga SPAK për aferën e sterilizimit, Beqaj i cili është aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, do të zëvendësojë në këtë post Romina Kukon.

Qeveria ka bërë disa ndryshime në vendimin për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimit financiar të grupit negociator dhe detyrat e kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Mbështetur në ligjin për shërbimin e jashtëm, për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e traktatit të aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, me propozimin e ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator, Këshilli i Ministrave vendosi që në bazë të vendimit për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e Kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Romina Kuko, zëvendësministre e Brendshme do të zëvendësohet me Ilir Beqaj, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës”, thuhet në vendim.

Sakaq edhe Ilir Bejtja, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, negociator përgjegjës për kapitullin për energjinë largohet nga kjo detyrë dhe në vend të tij emërohet Enkelejda Muçaj, zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.