Ekipet e shpëtimit në Shqipëri janë angazhuar ethshëm për gjetjen e atyre që mungojnë në apel me shpresën se mund të nxjerrin ende gjallë ndonjë person, nga ndonjë xhep mbijetese nën rrënoja.
Ekspertë nga e gjithë Evropa, shkruan agjencia e lajmeve AFP, janë bërë bashkë për të ndihmuar në këto përpjekje. Në Durrës, skuadrat italiane të shpëtimit punojnë fort, me shpresën që nuk shuhet…
“Shpresa vdes e fundit. Në Akuila ne kemi gjetur njerëz të gjallë edhe pas katër ditësh ndaj me këtë në mendje vazhdojmë të punojmë”, shprehet Michele Melosi.
“Kushtet në këtë vend janë shumë të vështira, madje edhe për qentë, sepse ka prani të materialeve të ndryshme. Por, vështirësia më e madhe është rreziku nga pas lëkundjet. Rreziku nuk ka kaluar dhe ne punojmë me një skenar sigurie të reduktuar”, shprehet Martino.
Punonjës emergjencash, mes të cilëve edhe ekipe nga Serbia dhe Kosova, punojnë në kushte të rrezikshme ndërsa qindra pas lëkundje trondisin akoma më shumë ndërtesat dhe ndërpresin përpjekjet e shpëtimit. Siç ndodh edhe me këta zjarrfikës francezë, të angazhuar në kërkimet në një pallat në Durrës.
Sidoqoftë, të palodhur, shpëtuesit kanë ende shpresa…
“Ne, ushtarët francezë, shpresojmë me të vërtetë shumë…po luftojmë me kohën duke u përpjekur të gjejmë gjallë viktima. Shpresa mund të ketë deri në tetë apo dhjetë ditë. Na është thënë se mund të ketë dy persona këtu, ndaj po punojmë natë e ditë me pajisje të fuqishme. Kjo godinë këtu ka qenë shtatë apo tetë kate e lartë, dhe pasi është shembur tre katetet e para janë zhytur në tokë”, ka thënë një shpëtues francez.
Ekipi prej rreth 50 personash, i kapitenit Joel Leroy, nuk është ndalur. Pavarësisht se 1#do orë që kalon, i zbeh më shumë shpresat, ata nuk tërhiqen. Rreth 50 të mbijetuar janë nxjerrë nga rrënojat, pjesa më e madhe në ditën e parë pas tërmetit. Numri i njerëzve që gjenden ende nën to, nuk dihet.