Me kokën ulur mbi telefon hesht, ashtu, e papërkrahur nga etika dhe e mbivlerësuar nga pushteti.
Dhe përshëndetjes nuk i flet me fjalë dhe as i përgjigjet me gjeste!… Nuk guxon t’i dalë përballë sepse trembet. Trembet nga ajo që sheh, që ndjen, që i serviret paqësisht nga një kolege… Trembet, sepse ndjen që, ti vlen ndoshta më shumë se ajo; vlen në merita, paçka se nuk je e ulur në karrigen e drejtuesi, vlen sepse ti rëndon me shume në dije se mendimet e saj dhe se ajo që, në këtë rast, ke përballë, vuan që nuk është si ty, vuan e fort shtrëngon krahët e karriges ku është ulur, si pronën që mezi e ka përftuar, vuan dhe hesht… I hesht komunikimit dhe fjalës, i hesht realitetit, i hesht përballjes.
E, në kokë i vjen rrotull mënyra se si i duhet të komunikojë e të sillet me kolegët dhe koleget e saj, me ata që e përshëndetin në respekt të postit e jo të njeriut, por dhe me ata që e ndjejnë se përballë saj peshon dhe një përshëndetje e thënë dhe me zë të ulët, por që për hir të etikës së komunikimit dhe të sjelljes në atë çast peshon shumë fort, peshon sa mijëra fjalë që thuhen korridoreve për servilizëm e më pas shuhen në ajrin që lënë pas,… sepse ti je e mbushur me vlera e nuk di të servilosesh zyrave të shtetit për një përfitim të çastit, qoftë kjo dhe me pak peshë.
E ke përballë atë, që e ardhur nga anët e skajshme të kulturës dhe harresës së komunikimit, të rri përballë pa fjalë, e zhytur me tepri në paaftësinë e vet për të ditur që të behet pjesë e një komunikimi njerëzor që mban edhe peshën e karriges ku është ulur, ke përballë atë që mban të veshur petkun e eprorit edhe kur ti shkon në zyrë e të përplaset në fytyrë arroganca e të qenit në rradhë të parë NJERI.
Sa keq, kur ti kërkon qoftë dhe nëpër korridore copëza komunikimesh të vlera, detyra të eprorit tënd, por që nuk i gjen kurrë se nuk janë pjesë të mësimeve të shkollës, as pjesë të aftësive të tij. Nuk i gjen, dhe kupton se ai që ushtron forcën mbi karrigen e eprorit tënd nuk mundet të bëjë pjesë të vetën etikën e komunikimit, as të mirësjelljes. Nuk mundet të kuptojë që të qenit aty, në rradhë të parë duhet të jetë privilegj i aftësive dhe i meritës, i dëshirës dhe i përkushtimit, i një tërësie vlerash që ti i bën të tuat, falë përpjekjeve në vite, për t’i renditur me pas në rrugën tënde, e për tu ndjerë krenare për to.
Sa keq! Unë e dua një epror apo eprore të tillë, e kërkoj, por kurrë nuk e kam patur fatin që ta kem!
Shpresoj që diku të jetë një epror ose eprore, që fle mbi një mënyre komode komunikimi dhe e bën të vetën atë pa kushte, ashtu siç duhet të jetë në një shtet dhe një shoqëri të civilizuar!
Dhe deri atëherë…
EDMIRA XHAFERI
Tiranë, 14 prill 2021